Prezantohen pamje të reja: Autorët e sulmit terrorist në veri u përgatitën në pronën e Radoiçiq katër ditë përpara

E publikuar: 01/10/2023 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla bashkë me Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha mbajtën një konferencë për shtyp, një javë pas vrasjes së rreshteri Afrim Bunjaku nga grupi kriminal serbë, gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Ata prezantuan pamje që u tha se dëshmojnë dorën e shtetit serb në sulmin terrorist të para një jave.

“Ky organizim terrorist kishte vetëm në qëllim: aneksimin e veriut të Kosovës.”, tha Sveçla.

Ai tha se provat dëshmojnë “përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimeve”.

“Në këtë tentim aneksimi janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq”, tha Sveçla.

“Me qëllim të organizmit të këtij qëllimi, institucionet e Serbisë kanë organizuar kapacitete ushtarake, logjistike, ushtarake e financiare.” – u tha më tutje.

“Sot do të shohim në video dhe fotografi, jo vetëm të sulmit por edhe përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimit.”

“Në këtë tentim të aneksimit të veriut, janë angazhuar drejtpërdrejti presidenti Vuçiqi, ministri i Mbrojtjes, shefi i komandës Milan Milojseviq”.

Pamjet, siç tha ai, dëshmojnë se në derjtim të Policisë pati të shtëna me armë të kalibrave të rëndë edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.

“Përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi afër Jagodinës si dhe në Kopaonik. Të gjitha këto pamje janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që i kemi konfiskuar.”, tha Sveçla.

Ai tha se provat janë të pakontestueshme dhe se tani “është i domosdoshëm dënimi dhe saknsionimi i këtj sulmi terrorist nga faktori ndërkombëtar.”

“Shihen veprimet dhe aktivitetet e grupit terrorist në hapësirat e pronës së Milan Radoiçiq.”

Ndërsa, Hoxha tha se në bazë të hetimeve, vërtetohet se grupi terrorist ka zhvilluar përgatitje të vazhdueshme.

Ai u shpreh se përgatitjet për sulmin terrorist u bën katër ditë më parë.

“Me datë 20.09.2023 në bazë të pamjeve shihet se është bërë përgatitja për sulmin i cili do të ndodhte vetëm katër ditë më vonë ndaj Policisë së Kosovës dhe shtetit të Kosovës.”, u shpreh ai.

Pamjet u siguruan nga dronët që Policia i konfiskoi pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Aty tregohen regjistrime që nga 2 shtatori, ku grupi terrorist po stërvitej në Kopaonik të Serbisë.

Më 2 shtatror, drejtori i Policisë tha se kishin bërë “testimet e veshjeve”.

“Një tentativë për të përdorur pajisje të veçanta për të mos vërehen nga dylbitë dhe kamerat e dronëve, pra kamerave termike.”, tha ai.

Më tej, Hoxha tregoi se pamjet tregojnë edhe “ushtrime taktike operative për sulme”.

“Ndahen në disa grupe dhe në drejtime të ndryshmne, janë të pajisur me armë të gjata. Grupi simulon sulmin dhe simulohen po ashtu edhe plagosjet e anëtarëve të grupit terrorist”, tha ndër tjerash drejtori i Policisë.

Ai tha gjithashtu se në videot e siguruara shihen 2 mjete të blinduara të Serbisë “të cilat janë në posedim të forcave ushtarake dhe forcave speciale të Serbisë”.

Hoxha tha se “plani është përgatitur ashtu që për çdo sulm ka pasur armatim të veçantë, special dhe njerëz të trajnuar e ekspertë ushtarakë.”