Një ditë para rinisjes së fluturimeve në aeroportin “Adem Jashari” janë bërë të ditura masat që duhet të respektohen.
Nga e diela, pasagjerët duhet të jenë në aeroport tri orë para fluturimit, kurse asnjëri nga ta nuk do të lejohet në ndërtesën e terminalit pa bartur maskë.
Ndërsa ata që hyjnë në terminal do t’u matet temperatura, si dhe secili prej tyre duhet të dezinfektohet në hyrje të terminalit.
Personat që shoqërojnë udhëtarët në nisje dhe pritje të tyre nuk lejohen të hyjnë në terminal, raporton KOHA.
Nga një shoqërues deri në sportelet e regjistrimit do të lejohet për udhëtarët e moshuar, personat me lëvizje të zvogëluar dhe personat e mitur të pashoqëruar.
Disa nga këto masa janë diskutuar në takimin e ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi me kreun e Agjencisë së Aviacionit Civil të Kosovës, Bujar Ejupi, dhe përfaqësuesit e Aeroportit “Adem Jashari”.
Mirëpo, Bashkimi Evropian nuk do t’i hapë kufijtë e jashtëm për shtetasit e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, përpos Malin e Zi dhe Serbinë.
Për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën kufizimet do të mbeten edhe pas ditës së parë të korrikut.
Para më shumë se dy javësh, Komisioni Evropian kishte propozuar që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen kufijtë e BE-së nga 1 korriku, por rritja e numrit të infektimeve me koronavirus ka bërë që vendimi të ndryshojë.
Kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve për hyrje në BE, ka qenë që të jenë më pak se 16 raste për 100.000 banorë në dy javët e fundit.