Presidentja e paragjykoi opinionin e Gjykatës Kushtetuese, ende pa u publikuar ai, thotë opozita, raporton KTV.
Antikushtetuese dhe shkelje të rregullave institucionale e cilësojnë partitë opozitare dekretimin nga presidentja Jahjaga të dy ligjeve, atë për dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale dhe prokurorin e specializuar si dhe atë për financimin e të akuzuarve potencialë në procese gjyqësore.
Zgjim Hyseni, nga lëvizja Vetëvendosje, thotë se të dyja këto ligje derivojnë nga ndryshimi i nenit 24 të kushtetutës, për çka edhe është ankuar opozita në Gjykatën Kushtetuese, prandaj edhe presidentja do të duhej të priste mendimin e gjykatës.
Edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, e vlerëson si veprim antikushtetues këtë të presidentes, duke thënë se ajo ka paragjykuar mendimin e gjykatës kushtetuese ende pa u publikuar ai. Por, as Isufi e as Hyseni nuk shpresojnë në një mendim pozitiv, duke i marrë si shembuj mendimet dhe vendimet në të shkuarën nga kjo Gjykatë.
Ndryshe, një ditë më herët, në ditën e fundit të afatit ligjor, presidentja Jahjaga i ka nënshkruar të dyja ligjet, pas një letërkëmbimi me Gjykatën Kushtetuese, në të kundërtën afati prej 8 ditësh do të përfundonte, përpara se ato dy ligje të hynin në fuqi me automatizëm ose të ktheheshin në Kuvend, në rastin më të fundit.