Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit, për 11 shkurt në orën 12:00.
Presidenca ka njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 për qind, apo 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6. 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet.
Zgjedhjet e shkuara s’kishin prodhuar koalicion të shumicës. Institucionet nuk u formuan që nga 9 shkurti kur u mbajtën ato dhe Kosova u fut në krizë institucionale. Si pasojë e mungesës së institucioneve, Kuvendi ende s’e ka miratuar buxhetin 2026 e as marrëveshjet ndërkombëtare shumëmilionëshe.
Pos tyre, Kuvendi e ka obligim ta zgjedhë presidentin deri më 4 mars, një muaj para se Vjosa Osmanit t’i përfundojë mandati.

















