Presidentja Osmani takon personalitete të rëndësishme në Vatikan gjatë ceremonisë së varrimit të Papa Françeskut

E publikuar: 26/04/2025 20:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut, e cila u mbajt në Vatikan, duke përfaqësuar shtetin e Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Me këtë rast, Osmani ka pasur mundësinë të takohet me liderë dhe personalitete të njohura botërore, të cilët kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit kreut të Kishës Katolike.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, presidentja Osmani ka ndarë disa momente nga këto takime, të shoqëruara me fotografi.

Ajo ka takuar ndër të tjerë edhe presidentin amerikan Donald Trump, shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit të Evropës, Antonio Costa, presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Gjithashtu, Osmani është takuar edhe me kardinalin italian Pietro Parolin, i cili shpesh përmendet si një nga kandidatët e mundshëm për të pasuar Papa Françeskun.

Në postimin e saj, Osmani ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e thellë për figurën e Papa Françeskut, duke e vlerësuar atë si një lider shpirtëror që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne.

“Papa Françesku do të mbahet mend për angazhimin e tij të palëkundur për paqen, dinjitetin njerëzor dhe solidaritetin ndërmjet popujve”, ka shkruar Osmani, duke theksuar rolin e tij si një zë i fuqishëm në mbrojtjen e të dobëtëve dhe në ndërtimin e urave të dialogut ndërkombëtar.

Më tej, presidentja Osmani ka shtuar se trashëgimia e Papa Françeskut në përkushtimin ndaj të varfërve, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore mes kombeve, do të jetojë gjatë dhe do të mbetet frymëzim për brezat që vijnë.