Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga zv.kryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz, njëherësh ministre e Jashtme dhe e Diasporës, ka takuar shefen e Misionit të SHBA-ve, në New York, Linda Thomas-Greenfield, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e përgjithshme në rajon e më gjerë, si dhe pasojat e agresionit rus në Ukrainë.
Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadoren Greenfield për mbështetjen dhe ka theksuar se partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i rëndësisë strategjike. Ambasadorja Thomas-Greenfield shprehu mirënjohje për angazhimin e Kosovës në Samitin për Demokraci dhe partneritetin e dëshmuar me qëndrimin e saj me rastin e luftës në Ukrainë dhe pritjes se refugjatëve afganë. Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen e palëkundur për Kosovën nga ana e SHBA-ve dhe presidentit Biden, të cilin e ka takuar dy ditë më parë.
Një pjesë e takimit iu kushtua dialogut me Serbinë. Presidentja Osmani theksoi se Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të dialogut. Duke cituar qëndrimin e Presidentit Biden, Presidentja Osmani ka potencuar se dialogu me Serbinë duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.
Sipas Presidentes Serbia po përpiqet ta bllokojë përparimin në dialog nëpërmjet obstruksionit, ndaj në këtë kontekst ka përmendur se pala serbe ka ngecur në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, ka bllokuar marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë dhe po përpiqet të shkaktojë destabilizim përmes strukturave ilegale në veri të vendit.Të dy bashkëbisedueset janë pajtuar se është koha që t’i jepet fund Misionit të UNMIK-ut në Kosovë.