Me udhëzime të Beogradit, “Lista Serbe” ka vendosur që të dalë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kryetarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje duke paralizuar kështu funksionimin e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut.
Ndërkohë situata shfaqet më e rënduar në Kuvendet Komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit ku janë larguar shumica e asamblistëve.
Kjo gjendje e krijuar ka shtyrë institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, Presidencën dhe Qeverinë që të fillojnë procedurat për funskionalizimin e qeverisjes në pjesën veriore të vendit përmes organizimit të zgjedhjeve.
Sipas burimeve të Gazetës Express, presidentja e Republikës së Kosovës ka shumë gjasa që të shpërndajë edhe Kuvendet Komunale të këtyre dy Komunave dhe në datën kur do të caktohen zgjedhjet për kryetarë të komunave të mbahen zgjedhje edhe për Kuvendet Komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Ky vendim i presidentes Osmani pritet që të merret sonte./GazetaExpress/