Presidentja Osmani niset për në Mitrovicë: Po nisem për në qytetin e rok-muzikës 

E publikuar: 14/04/2022 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani është nisur për në vizitë në Mitrovicë, në vazhdën e vizitës që po bën në komunat e ndryshme të Kosovës.

“Jemi rrugës për Mitrovicë, po rikthehemi në qytetin tim të lindjes, në qytetin e minatorëve, në qytetin e rok-muzikës, në mënyrë që të dëgjojmë edhe për së afërmi kërkesat e komunës, por mbi të gjitha të qytetarëve komunës së Mitrovicës”, tha Osmani në një paraqitje të drejtpërdrejt në Facebook.

Presidentja tregoi se atje do të pritet nga kryetari i komunës, Bedri Hamza.

“Do të kemi një ditë të ngjeshur me takime, duke filluar me takimin me kryetarin e komunës, zotin Hamza, pastaj takime me organizata të shoqërisë civile që përfaqësojnë gratë, komunitetet jo-shumicë dhe rininë e Mitrovicës”, deklaroi tutje Osmani.

“Do të shkojmë së bashku me kreytarin e komunës në lagjen e Kovaqëve, për të përkujtuar sot masakrën e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë në këtë lagje, dhe pastaj do të vazhdojmë edhe me takime dhe vizita tjerë, përfshirë vizitat e bizneseve”.

Para vizitës në Mitrovicë, Osmani ditë më parë vizitoi qytetin e Gjilanit.