GAZETAEXPRESS E premte, 17 Korrik 2015 16:40 Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Universitetin e Leicesterit në Britani të Madhe.
Në një ceremoni të veçantë, ky universitet e nderoi Presidenten Jahjaga me titullin Doktor Nderi i Shkencave Juridike.
Në një fjalim mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga theksoi:
Kam kënaqësi të madhe dhe njëkohësisht edhe shumë emocione tani kur po rikthehem në Leicester University, pas pothuajse një dekade, për ta pranuar këtë Titull Nderi nga një institucion i cili më mësoi se edukimi është një proces mbarëjetësor, më insipiroi me lidership dhe më mësoi kurajën. Këto janë ato tri shtylla në të cilat jam mbështetur dhe tri vlerat të cilat më udhëheqin si Presidente e Kosovës, një post të cilin sot e mbaj me krenari të madhe, njofton kumtesa nga Presidenca .
E di se, përderisa qëndroni të ulur këtu të veshur me pelerinat dhe kapelat e diplomimit, diplomimi ju duket si një lehtësim. Nuk ka më mësime gjatë gjithë natës dhe s’ka më provime për t’u brengosur për to.
Dhe në një mënyrë është lehtësim, sepse inspirimi të cilin e instaluan në ju mentorët tuaj të mrekullueshëm, nga fakultetet e lavdërueshme të këtij universiteti, ju bën të padurueshëm që të ballafaqoheni me sfidat që do t’ju shndërrojnë në agjentë të ndryshimit në komunitetet tuaja.
Të jeni të sigurt se do të MUND të jeni ai ndryshim, se do të mund t’i prekni ëndrrat tuaja. Siç e tha njëherë Presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf: “Nëse ëndrrat e juaja nuk ju frikësojnë, atëherë ato ëndrra nuk janë mjaftueshëm të mëdha.” Pra, ju gjenerata e vitit 2015, ËNDËRRONI ËNDRRA TË MËDHAJA!
Rrugëtimin e vendit tim po e bëj të duket paksa më i bukur. Unë kam përfunduar shkollimin tim nën një represion të rëndë, nëpër shkolla të përkohshme, të cilat ishin pjesë thelbësore e rezistencës sonë civile dhe të cilat na ndihmuan të mbijetojmë dhe ta mundim një regjim i cili ka shkelur secilën të drejtë njerëzore, duke përfshirë edhe të drejtën për shkollim.
Unë vijoja mësimet përderisa artileria digjte fshatrat dhe qytetet e Kosovës, për shkak se unë dhe gjenerata ime ishim të vendosur ta ndërtojmë një Kosovë të re, një Kosovë ndryshe, në të cilën i tërë populli i saj, pa marrë parasysh prejardhjen etnike, pa dallim gjinie dhe feje, do të jetonte me përgjegjësi dhe të drejta të barabarta në atë vend të cilit ata i thonin mëmëdhe.
Dhe ajo ditë erdhi në vitin 1999, pas një lufte brutale; dhe përderisa shumë nga ne nuk i kishim zotësitë e nevojshme për ta udhëhequr vendin që të lëvizë nga shkatërrimi i trashëguar deri në prosperitet, ne u përqafuam nga universitete siç është ky këtu, të cilët i hapën dyert për ne dhe thyen izolimin tonë, dhe na dhanë mundësinë të mësojmë dhe të bëhemi ndryshim të cilin donim ta shihnim në vendin tonë. Ne ju jemi përherë falënderues.
Ne e kemi ndërruar Kosovën nga një vend i shkatërruar nga lufta në një demokraci dinamike. Dhe Kosova sot është më shumë se një episod i historisë sonë të përbashkët njerëzore. Është një histori e suksesit tonë të përbashkët.
Jam shumë e prekur nga ky nderim, dhe këtë ia dedikoj vendit dhe popullit tim, të cilët përherë më mahnisin me forcën dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Vij këtu nga një takim i rëndësishëm për vendin tim. U nderova me një pritje të jashtëzakonshme në Pallatin Mbretëror nga ana e Lartmadhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, të cilës i shfaqa falënderimin e vendit tim për rolin të cilin Mbretëria e Bashkuar ka luajtur në vendosjen e paqes në Kosovë. Unë dhe populli i Kosovës e ruajmë dhe e vlerësojmë me zell këtë miqësi.
Në një botë në të cilën vlerat tona po sfidohen vazhdimisht, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përreth idealeve të cilat na definojnë. Ne duhet të kërkojmë gjithëpërfshirje. Ne duhet të inspirojmë ndryshimin, i cili do të sjellë zhvillim. Në një botë në të cilën dëshirojmë të jetojmë së bashku, ne duhet të kërkojmë barazi. Këtë duhet ta bëjmë në partneritet.
Ju lutem që ta mbani këtë në mend kur të ndërmerrni sfidat e ardhshme për t’i ndihmuar komuniteteve tuaja që të zhvillohen dhe shoqërive tona për t’u bërë shembull i asaj se çfarë ne duam që ato të jenë, përfundoi jahjaga.