Presidentja i kërkon Qeverisë t’i pezullojë tarifat e importit për produktet amerikane

E publikuar: 03/04/2025 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit prej 10 për qind për produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Me këtë veprim sipas Osmanit, do të përcillej mesazhi se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.

“Jam e bindur se ky veprim do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen afatgjatë ekonomike”, ka shkruar tutje Osmani në platformën “X”.

Sipas saj, më shumë se veprim ekonomik, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar angazhimin e qëndrueshëm për aleancën Kosovë-SHBA, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe mbështetjes që vazhdon prej dekadash.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka thënë se ato do të hyjnë në fuqi në mesnatë (nga e enjtja).