Presidentja fsheh dekretimin e marrëveshjes për Gjykatën Speciale

E publikuar: 25/02/2016 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Burime të Gazetës Express konfirmojnë se marrëveshja është nënshkruar nga Presidentja Jahjaga dhe nuk ka nevojë më të ratifikohet në Kuvend. Në Zyrën e Presidentes nuk kanë treguar nëse Atifete Jahjaga e ka dekretuar marrëveshjen e fundit të nënshkruar mes Kosovës dhe Holandës për Gjykatën Speciale.
Marrëveshja në fjalë, mes dy vendeve, e nënshkruar në fund të vitit që lamë pas, përcakton aranzhmanet që kanë të bëjnë me gjykatën dhe parasheh funksionalizimin e Gjykatës Speciale e cila do të gjykojë krimet që supozohet se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kjo marrëveshje nuk arriti të procedohet e as të marrë miratimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për shkak të zhvillimeve dhe bllokadës brenda këtij institucioni.

Por, burime të Gazetës Express, brenda Presidencës së Kosovës thonë se e para e vendit tashmë e ka dekretuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Holandës.

I njëjti burim i ka thënë gazetës se një gjë e tillë ia mundësojnë kompetencat e të parës së vendit, edhe pse Kuvendi nuk ka dhënë miratimin e tij.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Presidencës në lidhje me këtë çështje, por në zyra e saj nuk i ka kthyer përgjigjet. Tash ka mbetur që edhe Mbretëria e Holandës ta bëjë të njëjtën gjë, por kjo pritet të marrë disa muaj.