Kolinda Grabar-Kitaroviq tha se 20 vjet pas luftërave në Ballkan zhvillimet pozitive nuk janë të pakthyeshme: «Ne gjendemi diku në gjysmë të rrugës, midis lodhjes së Europës për t’u zgjeruar dhe lodhjes në Europën juglindore për reforma, e cila shfaqet në sallën e pritjes së përhershme».
Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviq ka tërhequr vërejtjen mbi rrezikun e ndikimit rus në Ballkan. Ajo gjatë një vizite në Austri i ka thënë gazetës «Die Presse» se në rajon është shënuar një kthim prapa dhe ka përmendur si shembull Maqedoninë.
Para së të zgjidhej në postin e kryetares së Kroacisë Grabar-Kitaroviq ka qenë zëvendëssekretare e NATO-s. Ajo tha se nga njëra anë e vëren rritjen e ndikimit rus në aspektin ekonomik, gjeopolitik dhe në fushën e sigurisë dhe nga ana tjetër lodhjen e Bashkimit Europian nga zgjerimi. «Deklarata e presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker se asnjë vend nuk do të anëtarësohet gjatë mandatit të tij i përgjigjet fakteve për shkaqe teknike, sepse nuk mjafton koha. Por ky konstatim keqkuptues e ka dekurajuar mbarë rajonin», tha Kolinda Grabar-Kitaroviq.
Presidentja kroate nënvizoi se është e shqetësuar me ngjarjet e fundit në Maqedoni, një vend që, sipas saj, një kohë të gjatë është lënë anash dhe tani gjendet në vetëizolim. Grabar-Kitaroviq tha se 20 vjet pas luftërave në Ballkan zhvillimet pozitive nuk janë të pakthyeshme: «Ne gjendemi diku në gjysmë të rrugës, midis lodhjes së Europës për t’u zgjeruar dhe lodhjes në Europën juglindore për reforma, e cila shfaqet në sallën e pritjes së përhershme».
Presidentja kroate tha se Ballkani mund të arrijë paqen e përhershme, stabilitetin dhe prosperitetin vetëm brenda BE-së dhe NATO-s. Ajo tha sa ndaj Rusisë duhet të përdoret strategjia e frikësimit nga ana e NATO-s. «Duhet të jemi të përgatitur për gjithçka».
Në pyetjen e gazetës «Die Presse» se përse Kroacia nuk është e gatshme të pranojë më shumë refugjatë sipas një çelësi të BE-së për shpërndarjen e tyre, Grabar-Kitaroviq u arsyetua kështu: «Ne vetëm po kërkojmë mirëkuptim për rrethanat tona. Për momentin ne nuk kemi strehimore të duhura. Papunësia te ne është 18 për qind, te të rinjtë madje 46 për qind». /Dialogplus/