Presidentja Atifete Jahjaga priti sot përfaqësuesit e komunitetit rom në Kosovë

E publikuar: 08/04/2015 10:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim përfaqësuesit e komunitetit rom në Kosovë, që udhëhiqej nga Kujtim Paçaku, deputet i Kuvendit të Kosovës, në përbërje të të cilit ishin edhe përfaqësues të partisë politike rome dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në Ditën Memoriale të Romëve në Kosovë. Takimi i delegacionit të komunitetit rom me Presidenten u bë edhe në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Presidentja Jahjaga i uroi përfaqësuesit e komunitetit rom për Ditën Memoriale të Romëve duke theksuar vlerën e shoqërisë së Kosovës në respektim të diversitetit etnik, kulturor e fetar. Ajo tha se është me shumë rëndësi integrimi i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe komunitetin rom, në shoqërinë dhe institucionet e vendit, por theksoi se përmirësimi i kushteve të jetesës dhe ofrimi i perspektivës më të mirë për të gjithë qytetarët, pa dallim, është përparësi e punës së institucioneve të vendit.

Ajo ftoi komunitetin rom që të jetë më aktiv dhe të shpreh kërkesat dhe nevojat e tij përmes Këshillit Konsultativ për Komunitete, që udhëhiqet nga Presidentja.

Përfaqësuesit e komunitetit rom e falënderuan presidenten Jahjaga për urimet për Ditën e Romëve dhe për pritjen në këtë ditë të shënuar për ta dhe theksuan rëndësinë e mbështetjes së institucioneve të vendit për komunitetin rom. Ata theksuan nevojën që ky komunitet ka në fushën e arsimit dhe edukimit dhe në gjithashtu edhe në ofrimin e kushteve për punësim.