Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili këto ditë po kalon nëpër raporte të tensionuara me ndërkombëtarët, në fjalimin e tij, në Akademinë Përkujtimore për Masakrën e Reçakut, ka thënë fjalë të mëdha për miqësinë SHBA –Kosovë duke e quajtur vlerë të përhershme. Por, ditë më parë, ai u shfaq brutal me një reagim ndaj ambasadorit amerikan dhe kolegëve të tij nga vendet perëndimore.
Thaçi, për dallim nga Kryeparlamentari Veseli i cili tha se Kosova duhet të përballet me sukses me Gjykatën Speciale, nuk e ka përmendur në fjalimin e tij këtë temë. Ai, ditë më parë i akuzuar ambasadorët, përfshirë ambasadorin amerikan, për ndërhyrje brutale në Parlament, kur diplomatët perëndimor i kërkuan Kosovës që të mos e shfuqizojë ligjin për Gjykatën Speciale.
“Miqësinë e ndërtuar me miqtë dhe aleatët tanë, në kohë të vështira dhe në ditët e mira, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e BE-së, e ruajmë dhe e kultivojmë si vlerë të përhershme” ka thënë Thaçi.
Ai ka kujtuar mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën dhe intervenimin e NATO’s pas konferencës së Rambujesë.
“Për herë të parë në historinë e Kosovës, u organizua një konferencë ndërkombëtare në Rambuje, ku pala shqiptare ishte e barabartë në tryezë. Kështu sipas tij, lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ndërkombëtarizua maksimalisht” citohet Thaçi.
“Nga kjo Konferencë doli dokumenti politik i cili i hapi rrugë intervenimit të NATO-s, për të mbrojtur popullatën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Thaci ka thënë se deri te këto zhvillime pozitive ne favor të Kosovës nuk do të arrihej pa mundin dhe sakrificën e të gjithë qytetarëve tanë, pa sakrificën e Reçakut.
Më pas, ai ka thënë se shteti serb një ditë, do të japë përgjegjësi për krimet, por pa e përmendur padinë për gjenocid.
“Nuk do t’i harrojmë as krimet që regjimi serb i ka bërë në Kosovë, për të cilat një ditë do të japë përgjegjësi” citohet Thaci./gazetaexpress/


















