Presidenti Hashim Thaçi po merr pjesë në Samitin e Davosit. Në këtë samit shefi i shtetit gjithë paraditen e së enjtes e kaloi me disa studentë kureshtar për samitin. Por siç duket, orët e para të mbrëmjes kanë qenë pak më fatlume për presidentin. Ai u takua me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Johanes Hahn. Por takimet e presidentit për sot përfunduan me kaq.
Hashim Thaçi, president i Kosovës, gjatë këtyre ditëve është duke marrë pjesë në Samitin e Davosit i cili po mbahet në një qytet malor në Zvicër. Në këtë samit po marrin pjesë liderët më të fuqishëm botëror.
Por Thaçit, dita e parë e këtij takimi siç duket nuk i ka shkuar mirë. Fillimisht pati takim me disa studentë e më pastaj u takua edhe me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.
Thaçi në postimin e tretë në Facebook për sot, ka treguar se është takuar me Komisionerin i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikë Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn. Thotë se Hahn në Davos i rikonfirmoi perspektivën e sigurt të Kosovës për integrim në BE, njëjtë sikurse për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Ai më garantoi se kjo perspektivë e sigurt do të reflektohet edhe në Strategjinë për Zgjerim të BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ne u pajtuam sërish edhe për domosdoshmërinë e ratifikimit sa më të shpejt të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e cila i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook./GazetaExpress/


















