Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar sot me Medaljen Presidenciale jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë, diplomatin norvegjez Kai Eide.
Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Thaçi ka thënë se Kai Eide ka dhënë kontribut të çmuar për pavarësinë e Kosovës, si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, para shpalljes së pavarësisë.
Eide ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë më 2005.
Raporti i tij për Sekretarin e Përgjithshëm për situatën politike në Kosovë rezultoi me nisjen e negociatave, të cilat çuan në pavarësinë e Kosovës më 2008.
Ky është postimi i plotë i presidentit Thaçi:
“Ambasadorin Kai Eide, mikun e Kosovës, sot e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë. Ai dha kontribut të çmuar për pavarësinë e Kosovës, si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, para se të shpallnim pavarësinë”./kallxo.com/