Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, ishte nikoqiri i radhës i zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi në Slloveni.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin bilateral, shkëmbimin ekonomik dhe mbështetjen e Sllovenisë në procesin e integrimit euro-atlantik për Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se Sllovenia si anëtare e NATO-s dhe BE-së mund të ndihmojë Kosovën në procesin e anëtarësimit në këto dy organizata. “Sllovenia mund të ndihmojë duke lobuar që Kosova të nënshkruajë sa më parë MSA-në, që Komisioni Evropian këtë vit të rekomandojë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe të përkrahë Kosovën të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe”, tha Thaçi.
Procesi i liberalizimit të vizave, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, mbetet ende një prioritet i lartë për Kosovën, derisa të përfundojë izolimi i padrejtë i qytetarëve të saj.
Nga ana tjetër, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka theksuar se Kosova e gëzon përkrahjen e plotë të shtetit slloven për dy prioritetet kryesore të tashme, nënshkrimin e MSA-së me BE-në dhe liberalizimin e vizave për kosovarët.
Thaçi dhe Pahor janë pajtuar se nënshkrimi i MSA-së do të jetë një konfirmim i rëndësishëm se agjenda evropiane e Kosovës është Brukseli dhe gjithashtu një dëshmi e mirë e përkushtimit të institucioneve kosovare për përmbylljen e konsolidimit të jashtëm të shtetit të Kosovës.