Presidenti Rinkevics: Letonia e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

E publikuar: 20/03/2025 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se diskutuan çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Ai në konferencën e përbashkët për media vuri në pah se kanë aktualisht kontingjentin më të madh ushtarak që shërben si pjesë e NATO-s.

“Janë dy arsye. Arsyeja e parë është se kemi shumë diskutime mbi mënyrën se si mund të avancojmë marrëdhëniet tona midis Letonisë dhe Kosovës, si dhe për të diskutuar çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, si dhe për të diskutuar mbështetjen që Bashkimi Evropian mund t’i ofrojë më tej kufijve të Kosovës. Arsyeja e dytë është gjithashtu ajo që ju tashmë e përmendët, që këtu në Kosovë ne kemi aktualisht kontingjentin më të madh ushtarak që shërben si pjesë e NATO-s dhe unë do të vizitoj trupat më vonë pas takimit tonë dhe gjithashtu pas kësaj konference për shtyp”.

Presidenti Rinkevics tha se Letonia është shumë e interesuar për forcimin e bashkëpunimit si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik midis dy vendeve tona. Ai në këtë kuadër tha se ka ende shumë mundësi për të përmirësuar bashkëpunimin tregtar, por gjithashtu besoj se sektorë si farmaceutika dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit do të ishin me interes të ndërsjellë. Ai shprehu mbështetjen e plotë për Kosovën në procesin drejt integrimit evropian.

“Letonia e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe diskutuam konkretisht integrimin në Këshillin e Evropës. Më lejoni t’ju siguroj për mbështetjen tonë të plotë. Ne gjithmonë kemi mbështetur anëtarësimin e plotë të Kosovës atje dhe gjithashtu besojmë se ky anëtarësim mund të hapë rrugën për organizata të tjera ndërkombëtare”.

“Gjithashtu përsërita mbështetjen e plotë të Letonisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe rikujtuam me Presidenten të gjitha misionet që kemi pasur, misione ekspertësh në fusha të ndryshme. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të ofrojmë ekspertizën tonë për Republikën e Kosovës, qoftë në sektorin gjyqësor, administratën publike apo sektorë të tjerë. Dhe sigurisht, të gjithë jemi të interesuar të shohim rezultate pozitive nga procesi i reformave këtu në Kosovë, veçanërisht forcimin e sundimit të ligjit, administratës shtetërore dhe, natyrisht, diskutuam edhe për lirinë e medias”, shtoi presidenti i Letonisë, Rinkevics.