Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka thënë se kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq është vetëm zëdhënëse e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa i bëri thirrje Beogradit që të mos flasë më për gjenocid.
“Bërnabiq është zëdhënësja, korrierja e zotit Vuçiq. Sigurisht që nuk e nënvlerësoj këtë, por duhet ta dimë se kush çfarë roli luan”, tha Milanoviq dhe i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë “të llomotisë për spastrim etnik në Kroaci”. “Epo, boll më” shtoi ai, raportojnë mediat kroate.
Ai tha se Serbia duhet t’i japë fund marrëdhënieve të mira me Rusinë, përcjell Gazeta Express.
“Serbia duhet të thotë se ku është, ka kaluar një vit”, tha Milanoviq.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq së shpejti do ta vizitojë Suboticën dhe Milanoviq nuk pret asgjë nga kjo vizitë.
“Në mënyrë që diçka të ndryshojë rrënjësisht në Beograd, është e nevojshme të ndryshohen themelet e politikës atje. Nuk mund të ecësh me historinë se Kroacia moderne lindi nga spastrimi etnik”, tha presidenti kroat.
“A doni të hyni në BE, as atje nuk ju ndihmojmë, duhet t’i jepni fund këtij lloji të marrëdhënieve me Rusinë në këtë moment”, tha Milanoviq, duke kërkuar nga Beogradi listat e të vrarëve.