Presidenti: Kosova u tregua lojale, u ndëshkua më së shumti

E publikuar: 09/10/2017 10:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përgjatë debatit të organizuar me temën ‘Përceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë’ ka thënë se Gjykata Speciale ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë dhe zyrën për krime lufte në Beograd, të dhëna këto të deklaruara nga Gjykata por edhe nga autoritetet e Beogradit, transmeton Indeksonline.

“Me Kosovën bashkëpunimi është minimal, simbolik dhe i njëanshëm. Të mos themi se nuk ka bashkëpunim fare”, ka shtuar Thaçi.

Sipas tij, autoritetet në Beograd pretendojnë se e dinë se kush do të akuzohet dhe pse do të akuzohet nga shqiptarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi në debatin e organizuar nga OJQ-të: Integra, CPT, PAX, me temën : “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë” ka theksuar se ekzistojnë keq-informata, pritje jo-reale, dezinformata të qëllimshme, për atë se çfarë është dhe çfarë do të sjellë Gjykata Speciale.

“Në rrethana të tilla, vështirë se Gjykata Speciale do të mund të arrijë të bëjë atë që synon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës por edhe për të gjithë ata që janë angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë”, ka theksuar ai, transmeton Indeksonline.

Thaçi ka thënë se kur jemi tek e drejta për drejtësi, janë pesë mekanizma që kanë vepruar në Kosovë tashmë e dy dekada me mandat ekzekutiv ndërkombëtar.

Gjyqet e UNMIK-ut, ato të EULEX-it, Tribunal i Hagës, EULEX – i, dhe tani Gjjykata Speciale./