Skruan Naim Maloku:
Në bazë të kompetencave kushtetuese, presidenti Hashim Thaçi e inicio Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për FSK-në. Ky Ligj i mundësonte FSK-së ngritje të kapaciteteve humane dhe materialo-teknike mbrojtëse me të cilat ky institucion përgatitej dhe aftësohej për të marrë përgjegjësinë e mbrojtjes së tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, kompetencë kjo e NATO-s përmes misionit të KFOR-it në Kosovë. Kjo nismë ligjore ishte një veprim tejet i domosdoshëm dhe konform situatës së krijuar kohët e fundit në rajon, posaçërisht hapat që i ndërmori Serbia në blerjen dhe pajisjen e ushtrisë me armë të sofistikuara për veprime ofensive.
Pezullimi i kësaj nisme, në fakt tërheqja e përkohshme e Ligjit në fjalë nga procedurat e mëtejme në Kuvendin e Kosovës, erdhi si pasojë e reagimeve të instancave më të larta të NATO-s, shteteve kryesore të kësaj Aleance dhe posaçërisht ShBA-së. Me kërkesën drejtuar Kosovës që FSK-ja të transformohet në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese, që do të thotë, edhe me 2/3 e votave të deputetëve nga minoritetet në Kuvend. Pra këtu nuk kemi të bëjmë me pezullimin e procesit por vetëm me ndryshimin e mënyrës së transformimit apo avancimit të FSK-së.
Pavarësisht reagimeve të ndryshme në opinion, mendoj se iniciativa e presidentit i ka arritur këto objektiva: a) Është marrë konfirmimi i fuqishëm nga NATO-ja, shtetet më të fuqishme të kësaj Aleance dhe ShBA-të që do ta mbështesin Kosovën në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse përmes procesit të transformimit të FSK-së në ushtri si dhe arritjen e standardeve deri në anëtarësimin në NATO. b) Është premtuar angazhimi i fuqishëm i këtyre shteteve dhe NATO-s në heqjen e presioneve nga Beogradi mbi deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të jenë aktivë dhe pro ndryshimeve kushtetuese për t’i hapur rrugë këtij procesi. c) Me këtë iniciativë u vërtetua që është i mundshëm një qëndrim unifikues për çështje të rëndësisë së përgjithshme, mos të them madhore dhe me interes shtetëror në mes të të gjitha subjekteve politike por edhe të opinionit në përgjithësi.
Nuk duhet harruar se po që se kishte ndodhur një unifikim i tillë në vitin 2014, para zgjedhjeve të kaluara, çështja e Ushtrisë së Kosovës do ishte zgjedhur në atë kohë, kurse sot e kishim edhe Kushtetutën të ndryshuar dhe mos të harrojmë që së bashku me ato ndryshime ka mundur të ndryshohen edhe nenet me të cilat komunitet pakicë mbajnë të drejtën e vetos me 2/3 për çfarëdo ndryshimi të saj. d) Kjo iniciativë, besoj pa qëllimin paraprak të presidentit, pati ndikim edhe në zgjedhjet presidenciale në Serbi. U detyrua që vetë ish-kryeministri dhe tani presidenti Vuçiq t’i drejtohet me letër për ndihmë ShBA-ve, ato ndërhyn dhe këtë bukur mirë e kapitalizoi Vuçiqi në kampanjën e tij për president. Duke mos pasur pretendime se kjo ka qenë vendimtare në fitoren e Vuçiqit por mund të themi se përmes përdorimit të kësaj çështjeje në fushatën zgjedhore në Serbi u identifikua qartë animi i faktorit ndërkombëtar në favor të tij, por edhe fakti se edhe në të ardhmen kjo çështje, pra procesi i formimit të Ushtrisë së Kosovës mund të përdoret si mjet i fuqishëm presioni në duart e NATO-s, BE-së dhe ShBA-së në raport me Serbinë.
I mbetet kabinetit të presidentit që edhe në të ardhmen të gjejë tema dhe çështje për të cilat do të provohet dhe arrihet unitet, aq shumë i munguar në hapësirat shqiptare, si në raportet e partive politike por edhe më gjerë. Opinioni shqiptar gjithandej kah ka parti politike është lodhur ma. Se a do të ndodhë, dhe si do të ndodhë lehtë apo vështirë dhe me çfarë çmimi, transformimi i FSK-së në ushtri kjo nuk mund të parashikohet, por një gjë është e sigurt se Kosova në këtë proces nuk ka për të qenë vetëm, pra është arritur që direkt në këtë proces të jenë të involvuara hiq më pak se ShBA-të. Kosova e ka të siguruar tërësinë territoriale, ka qenë dhe mbetet përgjegjësi e NATO-s përmes misionit të KFOR-it. Me këto ngjarje rreth iniciativës së presidentit u rikonfirmua edhe njëherë se NATO-ja mbetet e përkushtuar që jo vetëm të mbetet prezent në formën e mbajtjes së kapaciteteve të saja të dislokuara – nuk është me rendësi se sa në numër, por edhe në fillimin e procesit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO.
Pra KFOR-i me kapacitetet e veta do të jetë në këtë proces të avancimit të kapaciteteve tona mbrojtëse në arritjen e standardeve të NATO-s. Kjo, mendoj unë do të ketë ndikim pozitiv edhe në opinionin e gjerë në Kosovë, pra te secili qytetar, se Kosova nuk është dhe nuk do të mbetet në mëshirën e “të fortëve në rajon” sado që ata harxhojnë miliona në armatim. Procesi i formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe posaçërisht dinamika me të cilën kjo do të ndodhë tani më nuk është vetëm në duart tona. Janë faktorët të cilët do të jenë të involvuar në këtë proces dhe kjo do të ndodhë konform proceseve në rajon dhe rrethanave që do të krijohen nga ato procese. Ne mund të frymojmë lirshëm sa i përket sigurisë së tërësisë territoriale të vendit tonë për së paku këto arsye: -Përfundimisht u hoqën dilemat rreth qëndrimit të ShBA-ve në raport me NATO-n pas fitores së presidentit Trump.
NATO-ja do të forcohet akoma që për neve ka rëndësi jetike, sepse siguria jonë varet nga prezenca e KFOR-it në Kosovë dhe aspiratat tona kanë qenë dhe mbeten anëtarësimi i plotë në këtë organizatë politiko-ushtarake. -Me anëtarësimin e Malit të Zi, ishin dilema të mëdha se a do të ratifikohej në Senatin dhe Kongresin amerikan pas fitores së presidentit Trump, do të ketë ndikim direkt në avancimin e proceseve pozitive në rajon. Kosova do ta fitojë edhe një fqinj të integruar në NATO.