Presidenca: Vendimi i PZAP për Listën Serbe është i plotëfuqishëm, kjo çështje është mbyllur

E publikuar: 03/01/2025 22:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se vendimet për certifikimin e partive politike duhet të jenë vendime kolegjiale brenda KQZ-së.

Kupina tha për Klankosova.tv se procedurat e vendimmarrjes në KQZ janë të përcaktuara qartë me ligj, teksa tha se “neni 63.4 i Ligjit e definon këtë si një vendim kolegjial”.

“Procedurat e vendimmarrjes në KQZ janë të përcaktuara qartë me ligj. Sa i përket procesit të certifikimit të partive, neni 63.4 i Ligjit e definon këtë si një vendim kolegjial. Për më tepër, duhen pasur parasysh edhe parimet dhe rregullat e përcaktuara në nenin 14, që lidhen me këtë proces. Respektimi i këtyre procedurave është jetik për të garantuar funksionimin kushtetues dhe të ligjshëm të KQZ-së”, tha Kupina për Klankosova.tv.

Në ditën e fundit të vitit që shkoi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“KQZ ka marrë vendim që ta certifikojë Listën Serbe. Vendimi i PZAP-së është i plotëfuqishëm. Konsideroj që kjo çështje është mbyllur”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.