Presidenca e Kosovës ka reaguar në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në reagim thuhet se aktgykimi i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.
Tutje, presidenca i është përgjigjur edhe reagimeve të zyrtarëve të pushtetit që thanë se aktgjykimi konstatoi se Osmani ka bërë shkelje kushtetuese.
Në reagim thuhet se ky është një keqlexim i aktgjykimit dhe politizim i skajshëm i situatës.
“Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit”.
“Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri.”


















