Presidenca e Kosovës ka tentuar ta arsyetojë sjelljen e sotme të presidentes Vjosa Osmani ndaj gazetares në takimin që ajo bashkë me Kurtin, pati me familjarët e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, dy të vrarët në protestat e Vetëvendosjes.
Presidenca nuk ka thënë asgjë në lidhje me çështjen e Prindon Sadriut, për çka edhe është pyetur presidentja, por ka thënë se Osmani “ka kërkuar t’i lë mediat prezente”, edhe pse nuk ishin lajmeruar per pjesemarrje.
Tutje, presidenca ka thënë që Osmani nuk është përplasur me gazetarët, por ka kërkuar që pyetjet t’i shtrohen tjetër herë.
Komunikata e plotë e Presidencës:
Sqarim ndaj lajmit të sotëm të publikuar në disa media
Sqarim ndaj lajmit të sotëm të publikuar në disa media nga ceremonia e ndarjes së dekoratave për Arben Xheladinin e Mon Balajn dhe sipas të cilave “Presidentja Osmani është përplasur me gazetarët”.
Në fakt, siç shihet dhe dëgjohet nga incizimi, Presidentja Osmani ka kërkuar nga pjesëtarët e sigurisë t`i lënë mediat prezente, përkundër faktit se nuk kanë qenë të ftuara në ceremoni. Ngaqë ngjarja kishte karakter ceremonial, Presidentja ka kërkuar që pyetjet për çështje të tjera të shtrohen tjetër herë.
Prandaj nuk ka pasur asnjë lloj përplasje siç është prezantuar në media.


















