Pavarësisht faktit se Komisioni Evropian kishte konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet, heqja e regjimit të vizave vazhdon të zvarritet nga Brukseli.
Liberalizimin e vizave për Kosovën e përkrah fuqishëm Gjermania, ndërkohë Parisi zyrtar është skeptik bashkë me disa shtete të tjera anëtare dhe mendojnë që ende s’janë plotësuar kushtet që kosovarët të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen, duke përmendur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Megjithatë pavarësisht këtyre qëndrimeve të ndryshme, Kroacia si një prej shteteve anëtare që aktualisht udhëheq me Presidencën e BE’së e përkrah Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
Zëdhënësi i Presidencës kroate, Bruno Lopandic, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express ka thënë se shpresojnë që në të ardhmen e afërt do të ketë një vendim që do të mundësojë heqjen e vizave.
“Kroacia e shpreson një gjë të tillë, në të ardhmen e afërt, do të jetë e mundur që një vendim i tillë të miratohet e që do t’iu mundësonte shtetasve të Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza në BE”, ka thënë Lopandic për Gazetën Express, i pyetur nëse besojnë që vendimi për liberalizimin e vizave do të ndodhë përgjatë kohës sa Kroacia udhëheq me BE’në.
Por a do të jetë e mundur që një vendim të merret në takimin e Këshillit Evropian që do të mbahet në fundin e muajit mars. Lopandic thotë se janë të gatshëm që ta vendosin në agjendë Këshillit sapo të konstatohet se janë plotësuar kushtet.
“Republika e Kroacisë në përgjithësi mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës dhe Presidenca Kroate është e përgatitur që ta vendos këtë çështje në agjendë, kur kushtet të jenë plotësuar. Ne vazhdimisht e kemi theksuar se Kosova është i vetmi vend në Evropën Juglindore që nuk mund të lëvizin lirshëm pa viza në BE”, ka potencuar tutje zëdhënësi i presidencës kroate.
Ai ka sqaruar për Gazetën Express se kanë marrë edhe konfirmimin e Komisionit Evropian të korrikut 2018 në të cilin konstatohej se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, dhe ka theksuar gjithashtu se kanë ndjekur edhe diskutimet e më vonshme të bëra në Këshill.
“Qëllimi ynë që të inkurajojmë diskutimet e mëtejshme dhe shkëmbimin e informatave që do t’i mundësonin BE’së të ecë përpara me propozimin e Komisionit për të dhënë liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka sqaruar zëdhënësi i Presiencës kroate.
Ndërkohë qëndrimet e shteteve anëtare , Lopandic thotë se do të mund të dihen vetëm kur tema e liberalizimit të vizave të vendoset në agjendë.
“Presidenca kroate është në kontakt me shtete anëtare dhe qëndrimi zyrtar mund të dihet kur kjo temë të vendoset në agjendë”, ka shtuar tutje ai.
Në fund teksa ka folur për strategjinë që do të përdor Kroacia për të shtyrë përpara çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Lopandic ka thënë që është e nevojshme një qasje koherente dhe ekuilibruar drejt vendeve të treta, me theks në përmbushjen e kritereve të përcaktuara.
“Ne besojmë se gjithmonë është e rëndësishme të kesh argumente të vërteta dhe tregues në përputhje me rregullat e procedurave deh më pas t’i paraqesësh ato me kohë”, ka përfunduar Lopandic.
Përpara Kroacisë, me presidencën e Bashkimit Evropian ka udhëhequr Finlanda. Sipas finlandezëve çështja e liberalizimit të vizave është në dorën e Këshillit.
Ndërkohë pas qershorit, me presidencën e BE’së do të udhëheq Gjermania e kancelares Merkel, vend që mbështet fuqishëm Kosovën drejt liberalizimit të vizave.