Këshilltari për media i Presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, ka reaguar ndaj deklaratave të analistit Shenoll Muharremi lidhur me vizitën e Presidentes Vjosa Osmani në Mitrovicë, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të pabazuara.
Sipas tij, Osmani ka zhvilluar vizita institucionale edhe në Dragash, komunë e udhëhequr nga LDK-ja, në Ferizaj, të udhëhequr nga PDK-ja, si dhe në Gjilan, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Kupina ka vlerësuar se pretendimet për “zgjedhje selektive” të komunave janë të pavërteta dhe të ndërtuara për “konsum ditor”.
Ai ka mohuar gjithashtu se këto vizita përbëjnë shkelje të paanshmërisë kushtetuese, duke thënë se Presidentja nuk e humb paanshmërinë duke ushtruar detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale.
Përndryshe, analisti Shenoll Muharremi tha se presidentja Vjosa Osmani bëri një “turp të madh” me vizitën e sotme në Mitrovicë, ku ajo dhe kryetari i ri i qytetit, Faton Peci këmbyen plot lëvdata.
“Kuptohet që ajo po pozicionohet për kthim në politikë, por derisa ende është në pozitën e presidentit, ajo duhet me qenë e paanshme dhe me u ruajt pak, jo për vete medoemos, por për pozitën që përfaqëson.”
Postimi i plotë i këshilltarit Kupina:
I nderuar, Shenoll Muharremi, reagimi juaj ndaj vizitës së Presidentes Osmani në Mitrovicë, nuk është as kritikë, e as shqetësim kushtetues, por konstatim i paqëndrueshëm.
Të thuash se Presidentja “nuk ka shkuar ta uroj askënd tjetër”, është tërësisht e pavëretë. Si një përcjellës i zhvillimeve politike, nuk do të ishte dashur t’ju ikin zhvillimet e fundit nga aktiviteti i Presidentes nëpër komuna. Faktet janë kokëforta dhe i rrëzojnë lehtë pretendimet.
Presidentja ka qenë edhe në Dragash, i udhëhequr nga LDK-ja,
ka qenë edhe në Ferizaj, i udhëhequr nga PDK-ja dhe ka qenë në Gjilan, i udhëhequr nga Vetëvendosje.
Pra, narrativa se Presidentja paska “zgjedhur njërin e ka injoruar të tjerët”, është e pavërtetë, tendencioze dhe e ndërtuar për konsum ditor, jo për interes publik.
Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje të paanshmërisë kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese. Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale.
Sa i përket pretendimit për “hise në fitore”, “ndarje partish”, apo “pozicionim për kthim në politikë”, këto janë spekulime, pa asnjë provë, të cilat synojnë denigrimin e Presidentes.
Edhe pretendimet për procesin e mandatimit janë të konsumuara, të sqaruara dhe të bazuara në interpretime selektive, jo në shkelje kushtetuese. Vendimet janë marrë brenda kompetencave kushtetuese, dhe dështimet politike nuk mund t’ia faturoni Presidentes.
Në fund, problemi nuk është Presidentja.
Problemi është frika nga një figurë që vepron mbi parti, mbi interesa të ngushta dhe mbi pazare politike.


















