Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka krijuar profile të reja zyrtare në rrjetet sociale, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së komunikimit me qytetarët.
Në njoftim thuhet se ky vendim ka ardhur pas përfundimit të mandatit të presidentes së mëparshme, ku profilet ekzistuese janë marrë në administrim nga zyra e saj dhe nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të Presidencës.
“Institucionet publike nuk janë të lidhura me mandate individuale, ato duhet të kenë komunikim të qëndrueshëm, të qartë dhe me vijimësi, në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Sipas Presidencës, profilet e reja do të administrohen drejtpërdrejt nga institucioni dhe do të shërbejnë si burimi i vetëm i informacionit zyrtar.
“Ky hap siguron që komunikimi zyrtar të mbetet i lidhur me institucionin, duke ruajtur dhe garantuar vazhdimësinë institucionale në funksion të informimit të qytetarëve”, theksohet më tej.
Presidenca bën të ditur se profilet në rrjetet sociale janë pronë e institucionit dhe do të mbeten në përdorim të tij, pavarësisht se kush ushtron funksionin e Presidentit apo Presidentes.

















