Presheva, një sandwich tjetër

E publikuar: 18/12/2017 11:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ishte hera e parë që shkoja në Preshevë. Rrugën për atje e bëra nga Beogradi. Dhe e dini se çfarë vura re? Rruga, dhe çdo gjë tjetër, ishte ok, mirëpo sapo hyje në zonën e banuar nga shqiptarët, ti hyje në një botë tjetër. Bujanoci e Presheva (në Medvegjë nuk munda të shkoja) ishin një ishull në atë botë andej. Nuk është se Serbia është një vend i begatë, i pastër, i rregullt, ku mbretëron ligji, (Beogradi bën diferencën me qytetet e tjera), por të hysh në Luginën e Preshevës është si të kërcesh në një botë të varfër, të rrëmujshme, të pistë, të ngeshme. Bie era Shqipëri, në fakt. Dhe ti ndihesh si në shtëpi ende pa dëgjuar një fjalë shqip. Tiparet somatike të njerëzve, mënyra e tyre e ecjes, rrugët me arna asfalti e pa trotuare, lëvizja kaotike e njerëzve nëpër to, telat që varen nëpër shtylla, ndërtimet kuturú, shpesh të mbetura karabiná, kazanët e plehrave që janë të njëjtë me kazanët tanë, me kapakët të varur nga jashtë e me vjegat e tyre të shqyera, qese e shishe plastike anëve të rrugëve, trafiku i rrëmujshëm, shtëpitë që nuk ngjajnë në asnjë rast me njëra-tjetrën, të gjitha këto të duken familjare, apo jo? Të vjen menjëherë të pyesësh: Presheva është frut i qytetërimit tonë, apo është një trill i historisë, d.m.th. rezultat i lojërave që nuk janë varur prej njerëzve të vet? Hëm! Unë anoj nga versioni i parë. Unë mendoj se çdo gjë që ndodh atje ku ka shqiptarë, ndodh pikërisht se ka shqiptarë. Ne duhet të ndryshojmë. Por në Luginën e Preshevës, ndryshimi është më i pamundur se gjetkë. Edhe sikur të gjithë shqiptarët atje të kenë një lloj ndriçimi të menjëhershëm, e të manifestojnë vullnetin për ndryshim, ndryshimi gjithsesi nuk do të ishte e kollajtë. Sepse jo çdo gjë varet nga shqiptarët.

Atyre anëve isha në shoqërinë e Virgjil Muçit, shkrimtar e diplomat (është një soj i njohur ky në historinë e shtetit shqiptar: shkrimtar diplomat). Ai e njihte mirë atë trevë. Kish shkelur shpesh herë ex officio në Luginë. I njihte njerëzit me emër e mbiemër. Dhe ngaqë orët e vizitës sime ishin të numëruara, Virgjili kish organizuar një axhendë të ngjeshur, të natyrës pak gazetareske, e pak politike. Pata një takim me një grup djemsh gazetarë, të moshës 25-30 vjeç. Siç mund të pritej, asnjë vajzë mes tyre. Por djemtë ishin të gjallë, amá. Gjithë energji. U hanin duart për punë, vepra, aksion. Dukej se ishin të etur për të patur mundësinë të linin shenjë në këtë botë. Por nuk dinin se si.

Pothuaj të gjithë dinin serbisht, dhe kjo gjë më pëlqeu. Më është dukur pesë me hiç ajo përpjekja e disave syresh, apo edhe e të ngjashmëve të tyre në Maqedoni, për ta injoruar gjuhën sllave. Në shenjë patriotizmi me demek. Një pjesë edhe e fshehin faktin që e njohin atë gjuhë. Ta thonë si me turp, a thua se kanë marrë ndonjë sëmundje venereale. A thua se do donin ta çmësonin. E ndoshta bëjnë edhe seanca çmësimi nëpër shtëpitë e tyre, një lloj egzorçizimi gjuhësor. Si mund të jetë një seancë e tillë egzorçizimi?
Djemtë gazetarë i gjeta, sidoqoftë, të informuar mbi atë që ndodhte rreth tyre, në botën shqiptare, në Ballkan, por edhe nëpër botën e madhe. Ishte kënaqësi për mua të bisedoja me ta. Secili prej tyre mund të ishte një reporter i mirë në Tiranë, dhe përballë tyre kryeministri Rama do matej mirë para se t’u lëshonte stigmën e kazanit. Mirëpo ata nuk janë në Tiranë. Do donin shumë të ishin, por nuk janë. Janë në Preshevë. Me mendjen në Tiranë. Dhe kjo është një nga arsyet që e mban atë botë të prapambetur. Sepse njerëzit atje, sidomos të rinjtë, janë në një gjendje midis, sandwich (midis identitetit nacional shqiptar dhe identitetit shtetëror serb), gjë që prodhon ndërdyshje, dyzim, paqëndrueshmëri, pasiguri, paqartësi, lidhje të dobëta me tokën e tyre, me vendin e tyre. Ca më shumë me shtetin e shoqërinë serbe. Ata janë në pritje të diçkaje. Mirëpo në këtë rast, janë duke pritur Godot-në, që nuk u vjen. Dhe për këtë arsye mendjen e kanë tek ajo që ndodh në Tiranë. E në Prishtinë. Në mos, kthejnë shikimin nga feja, e cila u jep një kuptim jetëve të tyre përndryshe pa kuptim. Dikush i ndihmon që t’i kthejnë sytë nga feja, dhe me këtë kuptohet pse nxënësve të shkollave atje u bëhet edukim fetar në vend të edukimit qytetar, u flitet për gjarpërinj që do ta mbështjellin njeriun pas vdekjes në vend se t’u flitet për shkencën, u flitet për Muhametin në vend se t’u flitet për Darwin-in apo Isaac Newton-in. Në shkollat e Preshevës nxënësit falin namaz. Atje e kanë merak t’u thonë se Skënderbeu e nënë Tereza nuk janë shqiptare (unë vetë nuk pata mundësi të vizitoja shkollat por, pasi u ktheva, lexova një reportazh mbi Preshevën të bërë nga Alban Selimi i RTK-së, dhe atje thuheshin gjëra të tilla). E nëse as hoxhallarët nuk ua gjejnë telat, mendja u shkon t’i bëjnë naftën vendlindjes, e të ikin diku në perëndim. Bashkimin me shqiptarët e Kosovës a të Shqipërisë e konsiderojnë një zhgjëndërr. Ndërsa integrimin në jetën republikane serbe nuk e konsiderojnë një opsion.
Në fakt, refuzimi i disa politikanëve të Luginës për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe është refleks i këtij qëndrimi. Ata përpiqen ta përfaqësojnë këtë qëndrim, e jo ta ndryshojnë. Një politikan i ri, me emrin Shqiprim (shqiptarët jashtë Republikës sonë, kudo që ata janë, të befasojnë e të emocionojnë me emrat e tyre etnikë. Shqiprim! Emër i bukur, s’ke ç’thua), po tenton të ecë në një rrugë të ndryshme. Ai është kryetar komune, dhe po kërkon të rinovojë mandatin në zgjedhjet e radhës të datës 24 dhjetor. Është ditë Kërshëndellash, por për këtë gjë askush nuk i çan kryet atje. Sepse ata janë të gjithë myslimanë. Edhe vetë Shqipërimi është mysliman. Praktikant. Është bërë mysliman në Gjermani, ku edhe ka jetuar. Shumë vetë kanë nxjerrë teori konspiracioni (thuhet se “Shqiprimi paguhet nga turqit, nga arabët, apo nga dreqi me të birin”, thuhet se “synimi i tij është të forcojë identitetin islam të shqiptarëve”; e çfarë tjetër nuk thuhet!), por brenda ndërtesës së komunës çdo gjë ishte në një frymë qartësisht laike. Fushata që po bënte nuk kishte asgjë fetare, gjithashtu. Madje, asistentet e tij ishin vajza të reja të veshura si studentet e Tiranës. Ishte një mysliman “europian”, që ndiqte parimin se “besimi është një gjë private, e nuk duhet nakatosur me punët e me sferën publike”.
Përballë në këtë garë kishte një vajzë. Më saktë, grua. Ardita Sinani quhet. Bisedova një copë herë me të, dhe m’u duk një prodhim fuori serie në atë vend. Dukej sikur nuk kishte lidhje me gjithçka e rrethonte, dukej sikur dikush e kishte hedhur me hobé aty. Ishte e re, me ëndrra të bukura, e zgjuar, e shtruar, e qartë. Ideja se Presheva mund të ketë në krye të komunës një grua është shumë ndjellëse, e frymëzuese. Unë vetë do të votoja për të. Dhe vetë Ardita dukej se ishte gati ta merrte përsipër këtë përgjegjësi. Por fati i saj i keq është së pari, që merret prej shumëkujt si përfaqësuese e gardës së vjetër, dhe së dyti, që ka përballë një “monstër” si Shqiprimi. Pse Shqiprimi e Ardita të mos ishin bashkë? Pse të mos bëhen bashkë edhe me Sami Salihun, e të rinj të tjerë, e të krijojnë një frymë të re në Luginën e Preshevës? Apo kjo është një pyetje naive e bërë nga dikush si unë, që nuk njeh shumë kthina të politikës atje? Mund të mendohet se Presheva, si qytet i vogël, i lënë pas dore, në margjinat e një shteti që banorët e saj e shohin si një shtet-njerk, nuk ka se çfarë kthinash të ketë. Por nuk është kështu. Më shumë kthina ka në politikën e Preshevës sesa në korridoret e kancelaritë e kryeqyteteve të Europës. Duket e çuditshme, por ja që kështu është. Në fakt, një nga rezultatet e prapambetjes është që ajo të çon në situata, ku hesapet e vogla shiten për ideale të mëdha, humbja e një gare elektorale shitet për dramë e jashtëzakonshme, betejat meskine për një vend pune zhvillohen me një shpirt të tillë sakrifice, a thua se bëhet fjalë për beteja me rëndësi për historinë, stërkëmbëshat e poshtërimet që i bëhen kundërshtarit shihen si një rrugë e hapur prej Perëndisë etj. etj. Për ilustrim, shihni atë që ndodh në Tiranë, ku nuk kalon një ditë pa “premtuar” destabilitet. A thua se destabiliteti është një sheqerkë.

/Mapo.al