Prej 100 vitesh në det, gjendet një mesazh në shishe në Gjermani

E publikuar: 22/08/2015 14:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohët e mesazheve të çastit, gjetja e një mesazhi në shishe në det, është diçka e pazakontë. Por një mesazh i tillë është zbuluar pak ditë më parë dhe mendohet se i përket viteve 1904 dhe 1906.

“Peshkimi” i shishes me sekretin brenda u bë nga Marianne Winkler, në ujërat e ishullit gjerman të Amrum.

Në fletë shkruhej në anglisht, gjermanisht dhe gjuhën hollandeze që kushdo që t’a gjente letrën të shënonte vendin dhe datën e gjetjes dhe ta dërgonte gjithçka në Marine Biological Association të Plymouth, në Angli, për të marrë si çmim një monedhë, shkruan NOA.

Kështu veproi dhe Winkler, e cila zbuloi se shishja e saj kishte edhe 1019 “motra” të tjera të hedhura në Detin e Veriut mes viteve 1904 dhe 1906 gjatë një studimi shkencor lidhur me rrymat detare.

Shumë prej këtyre shisheve nuk kishin pasur të njëjtin fat dhe vetëm shishja e gjetur në Amrum kishte mbërritur në destinacion.

Kështu Marianne Winkler nuk u kënaq me qindarkën e premtuar, por bëri kërkesë në rekordet Guinnes që të vlerësohet si mesazhi më i vjetër i gjetur në det.