Politologu i njohur rus, kryeredaktor i revistës “Russia in Global Affairs”, Fjodor Llukianov, i mëshon së njëjtës ide. Sipas tij, Perëndimi nuk u vuri veshin paralajmërimeve ruse, “në nivel zyrtar dhe ekspertize”, që qëndrimet arbitrare ndaj kufijve dhe tërë- sisë territoriale shtetërore do t’u ktheheshin si bumerang, edhe vetë perëndimorëve. Duke iu referuar “Deklaratës mbi ngjarjet në Katalonjë” të Komisionit Europian dhe qëndrimeve të disa përfaqësuesve të lartë të BE-së për këtë çështje, në të cilat theksohet se rasti i Kosovës, si sui generis, nuk mund të krahasohet me atë të Katalonjës dhe se referendumi i këtij rajoni për pavarësi është i paligjshëm, si Beogradi, ashtu edhe Moska, e akuzuan Brukselin për politikë të “standardeve të dyfishta”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e quajti “hipokrit” qëndrimin, sipas së cilit pavarësia e Kosovës konsiderohet e ligjshme, ndërsa ajo e Katalonjës, e paligjshme. Ai u shpreh se kjo është një padrejtësi e madhe e Bashkimit Europian ndaj Serbisë. Vuçiç ripërsëriti pikëpamjet e Beogradit se Kosova nuk është rast i veçantë, specifik. Të njëjtën ide, por në mënyrë më agresive, shprehu ministri i Jashtëm serb, Ivica Daciq. Sipas tij, pavarësia e Kosovës dhe e Katalonjës janë akte të njëanshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
“I indinjuar” nga ky qëndrim i Brukselit, Beogradi zyrtar vendosi që, nëpërmjet Kryeministres Brnabiç, t’i kërkojë sqarime BE-së nëse kemi të bëjmë me ekzistencën paralele të dy ligjeve ndërkombëtare, një për shtetet anëtare të Bashkimit Europian, tjetri për ato që nuk janë anëtare të kësaj organizate. Bashkëpunëtori i vjetër shkencor i Institutit të Sllavistikës në Moskë, Peter Iskenderov, “hipokrizinë” europiane e zhvendos nga Katalonja në Krime. Në shkrimin e tij “Referendumi në Katalonjë –sfidë për BEnë”, ai vë në dukje se Brukseli, deri tani, të drejtën e një etnosi për shkëputje e ka zgjidhur nisur nga interesat dhe koniunktura politike.
Janë këto interesa, sipas tij, që përcaktojnë se pavarësia e Kosovës duhet të konsiderohet e ligjshme, ndërsa pavarësia e Krimesë dhe bashkimi i saj me Federatën Ruse, të paligjshme. Rikthimi i këtyre pseudoargumenteve në diskursin politik, diplomatik dhe mediatik, shtron nevojën e ritheksimit të argumenteve mbi karakterin sui generis të rastit të Kosovës, me të cilin lidhet edhe gjetja e një zgjidhjeje sui generis, siç është pavarësimi i saj.
Midis këtyre argumenteve, mund të veçojmë:
Së pari, shpërbërja, jo me marrëveshje, por me dhunë të përgjakshme e ish-Federatës Jugosllave. Me shpërbërjen e saj, të gjitha pjesët përbërëse të Federatës, përfshirë Kosovën, si një ndër elementët konstituivë të saj, fituan të drejtën e krijimit të shtetit të tyre të pavarur. Pra, nuk kemi të bëjmë me rast të shkëputjes së një territori nga një shtet tjetër, mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje, pikëpamje që gabimisht mbrohet edhe nga pjesa më e madhe e studiuesve dhe analistëve shqiptarë, por me të drejtën e popullit për të krijuar shtetin e vet, pas shpërbërjes, jokonsensuale, të entitetit shtetëror ku bënte pjesë më parë.
Së dyti, ushtrimi i dhunës së strukturuar shtetërore nga Beogradi, që kulmoi në vitet 1998-1999 me mbi 12 mijë të vrarë, 20 mijë të plagosur, me spastrim etnik dhe duke dëbuar rreth 1 milion shqiptarë nga territori i Kosovës, me masakra dhe me varreza masive. Vazhdimi i bashkëjetesës Kosovë-Serbi pas kësaj dhune masive, ishte i pamundur.
Së treti, OKB, nëpërmjet dy rezolutave të saj, situatën e atëhershme në Kosovë e ka klasifikuar “si kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”. Duke iu referuar kapitullit të VII të Statutit të OKB-së, në pranverë të vitit 1999, komuniteti ndërkombëtar ndërhyri ushtarakisht në ishJugosllavi për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova u vu nën protektorat ndërkombëtar. Së katërti, shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, sipas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Asnjë prej këtyre elementeve thelbësore nuk është i pranishëm në rastin e Katalonjës dhe as në atë të Krimesë.
Thënë më shkoqur, ata që pretendojnë në njëjtësinë e rastit të Katalonjës me Kosovën, duhet të sjellin, të paktën, këto fakte: që Spanja, si shtet me të 17 rajonet autonome, është në shpërbërje jokonsensuale, por të dhunshme; që ndaj Katalonjës është zbatuar e po zbatohet politikë e spastrimit etnik dhe dhunë sistematike shtetërore; që, nga ana e OKB-së, situata në Katalonjë të klasifikohet si kërcënim për paqen e sigurinë rajonale e botërore; që të ketë ndërhyrje të armatosur të komunitetit ndërkombëtar: së fundi, në rast të shpalljes së pavarësisë së Katalonjës, GJND duhet ta vlerësojë atë si një akt që nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Ka edhe dallime të tjera të rëndësishme me natyrë historike, kushtetuese, ekonomike dhe gjeopolitike midis Katalonjës e Kosovës, të cilat nuk është vendi për t’i trajtuar. Aq më pak, mund të flitet për ngjashmëri a njëjtësi të Krimesë dhe Kosovës. Mjafton të thuhet që me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 27 mars 2014, pavarësimi dhe bashkimi i saj me Federatën Ruse janë konsideruar si të paligjshme dhe të njëjtën pikëpamje ka mbrojtur edhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës, ku bën pjesë edhe Rusia.
Pohimi që rasti i Kosovës është sui-generis do të thotë që në asnjë konflikt tjetër nuk mund të argumentohet, motivohet, apo justifikohet akti i pavarësimit të vendit, me atë të Kosovës. Ky apo ai rajon mund të kenë një mijë arsye të tjera për t’u shpallur të pavarur, por jo sepse kështu ka vepruar edhe Kosova. Në rastin e Katalonjës po flitet për padrejtësi, për kufizim të së drejtës sovrane lidhur me shfrytëzimin e të ardhurave të rajonit, për refuzim të autoriteteve qendrore që kësaj krahine t’i jepet autonomi tatimore, etj.
Ditën e referendumit për pavarësi, më 1 tetor 2017, u njoftua për dhunë të Policisë mbi qytetarët katalonjas ku pati mbi 900 të plagosur. Madridi u shfaq me fytyrë demoni, në emër të ligjit duke harruar legjitimitetin. Pas dhunës, “gremina midis Katalonjës dhe Spanjës u thellua si kurrë më parë”. Në rast se Madridi vazhdon me përshkallëzimin e dhunës, gjoja, në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, pa pyetur për jetët njerëzore, atëherë, me të vërtetë, në vend të Katalonjës, ai mund të fitojë Kosovën e vet, jo si pasojë e ndikimit të precedentit Kosovar”, por e politikës së tij dritëshkurtër.
Spanja është midis 5 shteteve anëtare të BE-së, që, nisur nga konsiderata të brendshme, “për të mos nxitur prirjet separatiste”, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ngjarjet e fundit po dëshmojnë dështimin e kësaj politike. Do të ishte tragjike nëse Madridi nuk tërhiqet nga konfrontimi me qytetarët e vet për t’i zgjidhur problemet me ta nëpërmjet dialogut dhe kompromisit. Përvoja historike, më se një herë, na ka mësuar se dhuna shtetërore është mamia e “precedentëve Kosovë”, jo vetëm në Spanjë, por kudo në botë. *Diplomat. Ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë