Prapaskenat e takimit Abdixhiku–Krasniqi: kërkesë për mbështetje publike ndaj Përparim Ramës

E publikuar: 08/11/2025 05:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në prag të balotazhit të zgjedhjeve lokale, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është takuar pasditen e së premtes me homologun e tij nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Lajmin e ka bërë publik gazetari dhe drejtori i televizionit Kanal10, Arben Ahmeti, në emisionin e tij “Adresa”, ku ka ndarë detaje ekskluzive nga takimi mes dy liderëve.

Sipas burimeve të brendshme në parti, të cilave u është referuar Ahmeto Abdixhiku i ka kërkuar Krasniqit që PDK të dalë me një mbështetje publike për kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Ramën.

Abdixhiku ka theksuar se në rast se një mbështetje e tillë nuk shpallet publikisht, LDK do të tërhiqet nga të gjitha koalicionet lokale që i ka me PDK-në, përfshirë ato në Prizren dhe Mitrovicë.

Burime brenda PDK-së bëjnë të ditur se pas këtij takimi ka pasur debate të brendshme në parti, veçanërisht mes degës së Prishtinës, të udhëhequr nga Uran Ismaili, dhe kryesisë qendrore të PDK-së, të kryesuar nga Memli Krasniqi.

Dega e Prishtinës ka shprehur rezerva për daljen në mbështetje publike, ndërsa kryesia qendrore ka qenë më e hapur ndaj kërkesës së LDK-së.

Pas diskutimeve të gjata, është arritur një kompromis politik: PDK në nivel qendror pritet të dalë me një deklaratë publike në mbështetje të Përparim Ramës, ndërsa dega e Prishtinës nuk do të përfshihet në këtë qëndrim dhe nuk do ta shpallë publikisht mbështetjen./gazeta10