Në librin e publikuar këtë shkurt, Catherine Ashton ka shkruar për origjinën e disa prej çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, që tani, 10 vjet më vonë, janë rikthyer në themel për normalizimin e raporteve. Në krye të herës, si nisën diskutimet për Asociacionin dhe çka kishin thënë së pari Thaçi e Daçiq? Në çfarë konteksti e kishte përmendur Thaçi Republikën Srpska në Bosnjë? Si bllokoi një marrëveshje, që u tentua të ndryshohej e që fliste për anëtarësimin e Kosovës në OKB? Këto janë disa prej pjesëve të rrëfimit nga prapaskenat e diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që i ka ndarë ish-Kryediplomatja e BE-së.
Britanikja e vetme që udhëhoqi politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ia ka dedikuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë një kapitull në librin mbi angazhimin e saj diplomatik.
Ashton që pati rolin e Kryediplomates së BE-së nga viti 2009 deri në 2014-ën përshkruan fillin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimin e saj e të Përfaqësuesit Special të BE për dialog në atë kohë, Fernando Gentilinit.
Ajo rrëfen për ngjizjen e marrëveshjeve të para mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër to, edhe ai i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që javët e fundit është kthyer në top-prioritetin e ndërmjetësve amerikanë dhe evropianë të Dialogut.
Në një paragraf nga libri i ish-zyrtares së lartë të BE-së ish-Kryeministri serb i asaj kohe, Ivica Daciq, kishte shprehur gatishmërinë e largimit të strukturave ilegale që operonin në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, porse serbëve lokalë u duhej një garanci. Ndërkaq, sipas Ashton, Thaçi kishte pranuar të ketë një formë decentralizimi, që nuk është si Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe nuk e rrezikon rolin e Qeverisë së Kosovës.
“Daçiq shpjegoi se ai donte të shihte teksa hiqeshin strukturat paralele, por popullsisë lokale serbe i duhej një sistem i drejtësisë, në të cilin do të kishin besim. Thaçi bëri të qartë se, përderisa nuk mund ta pranonte një nivel të ndarë të qeverisjes në veri, qe do të sillte të gjitha problemet me të cilat u përball Bosnja me Republikën Srpska, ai nuk po e kundërshtonte një formë të decantralizimit lokal”, thuhet në librin e Ashtonit.
Tutje ajo përshkruan se si njëra palë synonte që kjo lloj strukture të bëhej pa rrezikuar funksionimin e Qeverisë së Kosovë, e tjetra pa e njohur Kosovën si shtet.
“Pas një kohe, Thaçi i tha Daçiqit, se ishin afër një marrëveshjeje. Ata do të provonin t’i bënin komunat serbe të Kosovës në një grup dhe të shihnin si t’i jepnin atyre identitet dhe qëllim, pa e rrezikuar rolin e Qeverisë së Kosovës dhe pa pasur nevojë që ta njihnin Kosovën si një shtet të veçantë”.
“Për ta hequr policinë paralele, unë dhe Fernando (Gentilini) sugjeruam për krijimin e njësive të veçanta serbe brenda forcave të Policisë së Kosovës. Të dy, Thaçi dhe Daçiq, u pajtuan se ia vlente të eksplorohej”, përshkruan Ashton në librin e saj.
Rreth dhjetë vjet pas shërbimit të Ashton në krye të diplomacisë, Kosovës dhe Serbisë i është propozuar një plan i BE-së për normalizim të raporteve. Një nga çështjet më të diskutuara, pos Asociacionit, tani është edhe mundësia ose jo e Kosovës që të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Për Kosovën, kjo është një pikë e rëndësishme, ndërsa për Serbinë, edhe sipas një sondazhi që është kryer atje, është e papranueshme. Megjithatë, në draftet jozyrtare të propozimit evropian, të njohur në masë si plani franko-gjerman, thuhet se palët duhet të mos e pengojnë njëra-tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.
Pikërisht fjalia e fundit, Ashton kujton se ka shkaktuar problem “të madh” edhe para dhjetë vjetëve. Ajo thotë se në hartimin e një dokumenti me të cilin do të pajtoheshin palët, zyrtarët e angazhuar evropianë, pra ajo dhe Gentilini, ishin bindur nga pala kosovare që të përfshihej fjalia ku theksohet se palët nuk do ta pengonin njëra – tjetrën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Në draftimin e dokumentit të shkurtër, pala kosovare na bindi ta shtojmë një fjali, që thoshte se asnjëra nga palët nuk duhet ta bllokojë rrugën e palës tjetër për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ne menduam se kjo dukej mjaftueshëm e padëmshme, çka tregon vetëm se ne ishim tepër të interesuar ta përmbyllim atë dhe ishim shumë të fokusuar në Bashkimin Evropian. Vuciqi dhe Daciqi menjëherë e refuzuan atë, duke thënë se kjo përfshinte njohjen e Kosovës si shtet dhe kjo ishte një çështje e re që ishte përfshirë në diskutime. Ne kishim bërë një gabim”, thuhet në librin e ish-Kryediplomates evropiane.
Tutje ajo tregon se Presidenti i tanishëm serb, Aleksandër Vuciq, kishte propozuar që të bëhej një kompromis dhe kjo fjali të modifikohej e të pajtoheshin se palët nuk do ta pengonin njëra-tjetrën në integrimin evropian.
“Vuciqi tentoi të ndihmojë, duke sugjeruar një kompromis, që të përdoreshin fjalët e Këshillit të Bashkimit Evropian se ‘asnjëra palë nuk duhet ta pengojë rrugën e palës tjetër për në Bashkim Evropian’. Kjo ishte më e menaxhueshme dhe po i jepte Kosovës diçka, kështu që ia prezantova ekipit të Thaçit. Ata u çmenden”, ka shkruar Ashton, duke shprehur dyshimet se ky reagim mund të ketë qenë, pasi pala kosovare e kishte bërë publike kërkesën e saj në Prishtin dhe tani s’donte kthim mbrapa.
Nën drejtimin e Ashtonit, në vitin 2013, Kosova dhe Serbia, përkatësisht Thaçi dhe Daçiq, nënshkruan marrëveshjen e parë politike. Marrëveshja e 19 prillit të atij viti kishte 15 pika. Në të parën prej tyre përmendej formimi i një Asociacioni/Bashkësie e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Marrëveshja e vecantë për Asociacionin ishte nënshkruar në vitin 2015.
Në 2022-ën, Kryenegociatori Besnik Bislimi ka treguar se e ka tashkuar Ashtonin në Londër dhe e ka pyetur atë për Asociacionin.
“Unë kam bërë një udhëtim për në Londër, ku kam bërë një takim me Ashton, dhe kam biseduar se çfarë ka qenë ideja e Asociacionit”, tha Bislimi në RTK Prime.
Dhjetë vjet më vonë se nënshkrimi i marrëveshjes së parë, në këtë fillimvit, ndërmjetësuesit i kërkojnë Kosovës që me cdo kusht ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ndërkaq, Kryeministri i tanishëm Albin Kurti refuzon themelimin e tij, duke thënë se ai cenon kushtetueshmërinë. /Express/