Ashtu siç e nisi, ashtu edhe e përfundoi. Pranvera Xhaferi është
fituese e garës së tretë Drag Race, e cila të shtunën u mbajt në
pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.
Shtegun e gjatë 402 metra, ajo me Audi RS6 e kaloi për kohën
11.805 sekonda.
Pranvera ishte edhe fituese e garës së parë. “Jam e kënaqur që e
nisa dhe e përfundova me fitore në këtë disiplinë. Sigurisht që
ky sukses është i veçantë se për herë të parë në Kosovë, por edhe
në Evropë, në Drag Race marrin pjesë edhe femrat. I inkurajoj
femrat që sa më shumë të marrin pjesë në këto gara, sepse është
kënaqësi, adrenalinë, por edhe dëshmi se edhe ne mund të jemi
të suksesshme në automobilizëm”, ka thënë Pranvera pas fitores.
Pozita e dytë i takoi Ermira Topallit, ndërsa e treta u rendit
Qerime Rexhepi.
Rezultatet:
1.Pranvera Xhaferi (Audi RS6) 11.805 sekonda
2.Ermira Topalli (Audi SQ5) 13.886
3.Qerime Rexhepi (Audi A3) 17.344