Nga 41 futbollistë që ka grumbulluar Xhani De Biazi në kombëtare këto tre vite 21 kanë mundësi reale që të luajnë me përfaqësuesen e Kosovës pas Europianit
“Të rrimë apo të ikim”. Në kombëtaren shqiptare kanë nisur ethet për ata që do të qëndrojnë apo do të largohen pas Europianit. Nga 41 lojtarë që Xhani De Biazi ka grumbulluar prej vitit 2013-2014 më shumë se gjysma kanë mundësi të plotë për të qenë pjesë e ekipit të Kosovës. Dhe bëhet fjalë për shumicën e lojtarëve titullarë, duke filluar që nga porta e deri në sulm. Edhe pse është folur për një marrëveshje mes dy federata që gjoja nuk do t’i marrin lojtarët njëratjetrës, e vërteta është krejt ndryshe. Në fund të Europianit gjërat do të ndryshojnë.
Lojtarëve që aktualisht kanë mundësi të luajnë me Kosovën u është bërë thirrje nga presidenti Thaçi që të bashkohen me ekipin më të ri kombëtar në Botë. Dhe kjo thirrje mund të sjellë edhe eksodin e madh të ekipit kombëtar shqiptar.
Plot 21 futbolistë mes të cilëve kapiteni Lorik Cana, Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Taulant Xhaka apo Shkëlzen Gashi, mund të thonë lamtumirë te kuqezinjtë. Dhe pikërisht është ky i fundit që luan në SHBA i cili pranon se mund të lërë kuqezinjtë pas Europianit. “Është një moment historik për futbollin e Kosovës.
Unë mendoj se ne e kemi treguar në të gjithë botën sesa vlen futbolli i Kosovës, prandaj ky pranim në UEFA na bën krenarë. Por ndërkohë, shpresoj gjithashtu se hapi i radhës do të jetë pranimi në FIFA, në mënyrë që Kosova të ketë mundësinë të luajë kualifikueset e Botërorit 2018. Do të luaj për Shqipërinë apo për Kosovën? Aktualisht jam i përqendruar tek arritja jonë e madhe me Shqipërinë, duke parë që Europiani po afron. Por se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, këtë nuk e di, duhet ta mendoj”, tha Gashi për “MLSsoçer.com”.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, një nga përkrahësit më të mëdhenj të Federatës Kosovare në betejën e saj për t’u pranuar në UEFA. Përves Zvicrës, i prekur direkt nga vendimi i fundit i UEFA-s është edhe kombëtarja shqiptare, boshti i të cilës është i përbërë nga futbollistë shqiptarë nga Kosova. Por, ndryshe nga helvetikët të cilët i frikësohen eksodit të lojtarëve nga Kosova, për presidentin Duka kjo gjë është diçka që do një diskutim më të gjerë.
“Ne nuk duhet të mendojmë për një numër të kufizuar futbollistësh apo për një ndeshje, duhet të mendojmë kush është më e mira për ta ardhmen e futbollit. Nuk është se kam menduar ndonjëherë për ndonjë futbollist se ku do të luajë. Për të ardhmen e kombëtares shqiptare, të Kosovës, apo për të ardhmen e kombëtares së madhe është diçka që do ta diskutojmë mes shqiptarësh”, përfundon Duka.
“Kambana” alarmi për kuqezinjtë, që do të jenë në një moment të vështirë pas Europianit dhe nëse u largohen lojtarët, duhet të ngrihen nga thërrimet, për të bërë skuadrën nga e para. Mbeten në ekip vetëm sulmues dhe mesfushorë. Trajneri i Shqipërisë, nëse ikin 21 futbollistët me vendlindje në Kosovë, duhet të nisë një revolucion total në kombëtaren shqiptare, pasi skuadra ngel bosh në shumë reparte, apo duhet të gjejë modulin e duhur. Shkurt.
Largimi i lojtarëve nga Kosova do të sjellë shpërbërjen e ekipit kombëtar shqiptar dhe sigurisht nuk do të ketë komëbtare të bashkuar, por sërish një komb të ndarë.
Lojtarët
Alban Meha ikën te Kosova
Amir Abrashi ikën te Kosova
Amir Rrahmani ikën te Kosova
Arbnor Fejzullahu ikën te Kosova
Arlind Ajeti ikën te Kosova
Berat Xhimshiti ikën te Kosova
Burim Kukeli ikën te Kosova
Debatik Curri ikën te Kosova
Ermir Lenjani ikën te Kosova
Etrit Berisha ikën te Kosov
Freddie Veseli ikën te Kosova
Herolind Shala ikën te Kosova
Lorik Cana ikën te Kosova
Mërgim Mavraj ikën te Kosova
Migjen Basha ikën te Kosova
Vullnet Basha ikën te Kosova
Milot Rashica ikën te Kosova
Shkëlzen Gashi ikën te Kosova
Taulant Xhaka ikën te Kosova
Valdet Rama ikën te Kosova