Pranimi i aplikimit të Kosovës në KiE, përmenden dialogu dhe Ohri

E publikuar: 24/04/2023 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komiteti i Ministrave ia ka përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pranimin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në njoftimin e lëshuar nga Komiteti i Ministrave thuhet se për bazë i kanë marrë edhe të arriturat e Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë për ta pranuar aplikimin për anëtarësim.

“Duke kujtuar Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 dhe aneksin e saj të zbatimit, të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja të udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë, dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim”.

“Këshilli i Ministrave vendosi t’i transmetojë Asamblesë Parlamentare për konsultim letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës (dokumenti DD(2022)200), pa cenuar shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kësaj kërkese për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.