Pozitë e opozitë kanë akuzuar Ministrinë e Arsimit se ka dështuar të funksionalizojë projektin për “Modernizimin e Sistemit të Edukimit në Kosovës përmes e-Edukimit”, raporton Ekonomia Online.
Vlera e këtij projekti shkon në mbi 5 milionë euro.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, tha se është e papranueshme që të dështojë ky projekt.
“Është një marrëveshje ndërkombëtare që ka kaluar edhe në Kuvend. Si paguhen më shumë se 5 milionë euro dhe procesi dështon në të gjitha fazat? Këto janë taksa të qytetarëve. Ministre, në të ardhmen e ke paraparë që të bëhet edhe digjitalizimi i E-Shkolla, me gjithë këto probleme, si do të adresohet kjo. Është e papranueshme që të hyjmë në borxhe e projekti të dështojë. A e keni dërguar lëndën në prokurori dhe a e keni adresuar”, tha Tishukaj-Sadiku.
Kritika ngriti edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila tha se “është e paqartë se si paguhen 4.9 milionë euro pa pasur një raport të pranimit teknik”.
“Edhe para raportit të auditimit ju e keni ditur gjendjen për këtë projekt. Projekti ka dështuar ndërsa nuk ka asnjë përgjegjësi si nga operatori ekonomik, si nga ai ndërkombëtar. Në raport të auditimit flitet se ministria ka dështuar të vendos menaxher të kontratës. Sipas informacione që posedoj është se askush nuk ka pranuar të qëndroj gjatë në pozita të tilla. Si ka mundësi që të përfundohen të gjitha pagesat pa pasur nënshkrime të raporteve. Për mua është e paqartë se si paguhen 4.9 milionë euro pa pasur një raport të pranimit teknik”, tha Bajrami.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ky projekt është negociuar gjatë kohës kur ajo nuk ka qenë ministre.
Nagavci theksoi se lëndën e kanë dërguar për shqyrtim në prokurori.
“Projekti është negociuar dhe ka filluar të implementohet në vitet 2013-2016. Ky projekt është i paprecident. Bëhet fjalë për mbi 5 milionë euro për të cilat nuk kemi asnjë produkt. Projekti në fjalë nuk është funksionalizuar. Me të marrë mandatin kam kërkuar që ky projekt fillimisht të auditohet. Përveç se projekti është filluar pa asnjë analizë, pa asnjë vlerësim, Ministria e Arsimit që në atë kohë e deri në marrjen e mandatit nuk ka pasur as zyrtar kompetent për këtë proces. Kur kam pranuar detyrën, në takimet që kam pasur jam informuar se është iniciuar një projekt i radhës në vlerë 5 milionë euro, por nuk kemi ndërmarrë një veprim të tillë, për vazhdimin e projektit”, shtoi ajo.
Nagavci tha se nuk mund të konstatojnë nëse ky sistem do të mund të funksionalizohet ndonjëherë.