Analisti Xhevdet Pozhari ka kritikuar qasjet e partive politike për zhbllokimin e situatës në Kuvend, përcjell infosot.com
Ai ka thënë se Vetëvendosje po i çon ftesa LDK-së, ajo po i refuzon. E, PDK-ja po i pranon ftesat! Ndërkohë, Vetëvendosje po e shfaq hidhërimin ndaj LDK-së, e po bëhet se nuk e sheh portën e hapur të PDK-së për tejkalimin e bllokadës institucionale.
“E, derisa ato po notojnë në lumin e vrerit politik, qytetarët janë bllokuar në kënetën e mbijetesës të thurur nga gardhi i inateve ndërpartiake.
Pra, mos na thoni që nuk keni zgjidhje. Shkurt, krejt po e shohim se nuk keni as vullnet, as guxim”, ka shkruar ai.
Shkrimi i tij:
Vetëvendosje po i çon ftesa LDK-së, ajo po i refuzon. E, PDK-ja po i pranon ftesat! Ndërkohë, Vetëvendosje po e shfaq hidhërimin ndaj LDK-së, e po bëhet se nuk e sheh portën e hapur të PDK-së për tejkalimin e bllokadës institucionale.
Të dy partitë, VV dhe PDK, nuk duan bashkëpunim ngaqë i tremben reagimit të votuesve të tyre të cilët i kanë ushqyer për një kohë të gjatë me antagonizëm të ashpër.
Në këtë situatë, veç LDK ka imunitet. Me këdo që bashkëpunon nuk ka pasoja, e as që shkakton pasojë për palën tjetër.
Ka disa si puna ime (të paktë në numër) që thonë bëhuni bashkë nëse mendoni për shtet dhe nuk doni të vareni nga disponimi i Listës Serbe apo cilitdo individ që do ta kishte në dorë ta rrëzonte një qeveri me pakicat etnike.
Por, jo! Armiqësitë janë ushqim për partitë politike. Janë arma më e fortë për të mbuluar dështimet dhe për ta gjetur fajtorin kujdestar – kundërshtarin e tyre.
E, derisa ato po notojnë në lumin e vrerit politik, qytetarët janë bllokuar në kënetën e mbijetesës të thurur nga gardhi i inateve ndërpartiake.
Pra, mos na thoni që nuk keni zgjidhje. Shkurt, krejt po e shohim se nuk keni as vullnet, as guxim.
Në këto rrethana, nuk e di nëse në të ardhmen ndonjëra parti do të më bind ta votojë. Jo që është naj humbje e madhe se patjetër që do të dominojnë ata të cilët duan të shohin përplasje të ashpra, por të paktën nuk do të ndjehesha pjesë e kësaj papjekurie politike ku inati është më i fortë se ligji, logjika e shëndoshë dhe gjithçka tjetër.
















