Posta e Kosovës sërish ka kërkuar anëtarësim në Unionin Postar Universal (UPU), organizatën më të madhe të administratave postare në botë.
Kërkesa është bërë gjatë takimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Sejdi Hoxha, me Drejtorin e Përgjithshëm të UPU-së, Bishar Abdirahman Hussein, në margjina të Simpoziumit Ndërkombëtar Postar që po mbahet në Antalija të Turqisë.
Kryeshefi Hoxha ka deklaruar se anëtarësimi në këtë organizatë është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të Postës së Kosovës dhe bashkëpunimit me administratat postare të vendeve të ndryshme të botës.
UPU është organizatë me 192 vende anëtare me seli në Bern të Zvicrës.
Në Simpoziumin Ndërkombëtar po marrin pjesë mbi 50 administrata postare nga shtete të ndryshme të botës. Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës ka pasur takime edhe me disa nga homologët e tij me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave.
Ai gjithashtu është takuar me drejtorin e ri të Postës Turke, Harun Maden, me të cilin ka biseduar për mundësinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta.
Në këtë Simpozium ai ka folur edhe me Ministrin e Transportit të Qeverisë Turke, Lütfi Elvan.