Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë mori një tjetër leksion nga Portugalia në eliminatoret e Europianit. Skuadra që drejtohet nga Redi Jupi pësoi humbjen e dytë në grupin 4 nga i njëjti kundërshtar, që e shfaqi superioritetin e tij edhe në sfidën e Aroucas, të cilën e fitoi me rezultatin e thellë 4-0. Kuqezinjtë e Shpresës luajtën si të barabartë thuasje gjatë gjithë pjesës së parë, madje duke e rrezikuar në disa raste portën e Varelës, por në minutat e fundit fillimisht u erdhi në ndihmë traversa pas goditjes së Pasiensas, ndërsa në të 43-ën, një top i humbur në mesfushë nga Rashica u shndërrua në kundërsulm vrastar nga luzitanët, që realizuan një gol të thjeshtë me Ricardo Hortan. Pushimi mes pjesëve duket se nuk u vlejti kuqezinjve për të fituar qetësinë e duhur, pasi sapo nisi loja Portugezët fillimisht rrezikuan me Marco Lopez, ndërsa në aksionin pasradhës realizuan golin e epërsisë së dyfishtë me Mane. Shqipëria e humbi toruan dhe e kishte të vështirë të dilte nga gjysmëfusha e saj, ndërsa Strakosha në disa raste radhazi tregohet në lartësinë e duhur duke shmangur gola të tjerë. Mirëpo portieri i Salernitanët nuk mund të bënte asgjë në të 60 -ën me Ruben Vezon që shënon të tretin për vendasit.
Aktivizimi i Qoses dhe i Bardhit në vend të Cekicit dhe Dyrmishit sikur i dha frymëmarrje lojës së Shqipërisë, por në minutën e 82-të pas një tjetër kombinimi perfekt të luzitanëve Pasiensa shënoi golin e katërt dhe të fundit të një sfidë të dominuar nga skuadra e Rui Jorge.