Portugalia “tradhëtohet” nga Ronaldo, Austria e ndal 0-0

E publikuar: 18/06/2016 23:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një penallti e humbur dhe një gol i anulluar për Cristiano Ronaldon…kjo Portugali nuk di të fitojë nëse ylli i saj nuk di të shënojë. Skuadra luzitane ngec në një tjetër barazim që mund të rezultojë fatal në fundin e rrugëtimit të grupeve pasi me 2 pikë në po kaq ndeshje, ekipi i Fernando Santos po ecën pa busull në rrugët e Francës. Në Paris “Parc De Princes” nuk shpalli asnjë fitues pas 90 minutave të ndeshjes Portugali-Austri ku u zhvillua një ndeshje me intensitet të lartë por rrjetat mbetën të paprekura. Skuadra e Cristiano Ronaldos dominoi në çdo aspekt por nuk arriti të bënte atë për të cilën ndeshen në fushë 22 luftëtarë, golin. Shumë raste të shpërdoruara dhe një Almer në superformë i mohuan Portugalisë gëzimin e tre pikëve të para, duke bërë që skuadra e Santos ta kërkojë kualifikimin në ndeshjen e tretë të grupit kundër Hungarisë.

Në minutën e 3 është Austria që kërcënon me Harnik por topi kalon ngjitur me shtyllën, ndërsa Nani replikoi 9 minuta me vonë me një goditje të rrezikshme. Minuta e 22 e gjeti Cristiano Ronaldon me një top të artë në këmbë por numri 7 nuk shënjestroi kuadratin austriak. Nani sërish në zonën austriake në të 29-ën por sulmuesi portugez u ndal këtë herë nga shtylla. Pak sekonda pas rikthimit të skuadrave në fushën e lojës Ilsanker rrezikoi goditjen surprizë por Rui Patricio nuk e lejoi të prekte rrjetën. Me kalimin e minutave, Cristiano Ronaldo humbi kthjelltësinë përpara portës dhe këtë e tregoi edhe në të 79-ën kur nuk arriti të transformonte në gol penalltinë e fituar nga vetë ai.

Kapiteni e gjeti golin 5 minuta nga fundi i takimit por pozicioni i tij dukshëm jashtë loje prishi festën e Portugalisë që tashmë rrezikon seriozisht vazhdimësinë në këtë kompeticion pas mban vendin e tretë me 2 pikë pas Hungarisë dhe Islandës.