Portugalia finalistja e parë e “Euro 2016”, mposht Uellsin

E publikuar: 06/07/2016 23:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Portugalia është finalistja e parë e Euro 2016, për herë të dytë në histori dhe 12 vjet nga sfida e humbur me Greqinë. Në Lyon, luzitanët triumfojnë 2-0 ndaj Uellsit falë yllit të tyre Cristiano Ronaldo, që tregon se lojtarët e mëdhenj shfaqen si të tillë në sfida të mëdha. Cr7 mori për dore portugezët duke shënuar një gol e duke dhuruar një asist në vetëm 3 minuta duke fituar jo vetëm sfidën me Bale por mbi të gjitha ndeshjen, që në fakt deri në minutën e 50-të u duk sikur po luhej për barazim, përpara se Ronaldo të mendonte të bënte diferencën duke zgjedhur vendin dhe kohën e duhur për të deviuar në rrjetë.

Një finalizim që barazoi dhe rekordin e Platinisë, me nëntë gola në total në historinë e Europianëve. Shfaqja e portugezit megjithatë nuk mund të mbyllej me kaq dhe 3 minuta më pas Ronaldo shërbeu dhe për Nanin golin që do të vuloste, jo vetëm fitoren e parë të luzitanëve në këtë Europian por gjithashtu dhe biletën për në finale. Bale u përpoq të rikthente në lojë Uellsin me një goditje tipike të tijën nga distanca, por Rui Patricio tregoi se Portugalia ka fenomenë dhe në portë.

Për Uellsin, debutues, që ishte dhe gjysmëfinalja e parë në një Europian, u ndje mbi të gjitha mungesa e Ramsey-t që ishte celësi i mesfushës së britanikëve, por dhe përvoja e një sfide të tillë krahasuar me portugezët, që jo vetëm kanë qenë shpesh herë në të tilla situata, por gjithashtu kanë në skuadër dhe një lojtar si Ronaldo, që pavarësisht ironive ndaj tij në këtë turne, në fund tregoi se mund të bëjë të madhe Portugalinë, ashtu sic është dhe vetë ai duke i treguar të tijve rrugën drejt harkut të triumfit të futbollit, “Saint Denis”./supersport.al/