Kompania Porsche do të shtojë edhe një model të shtatë në ofertën e saj, ndërsa vendimin përfundimtar do ta bëjë bordi i drejtorëve.
“Në të ardhmen e afërt, do të paraqesim linjën e shtatë të modelit. Tashmë ka plane, por jemi duke pritur për dritën jeshile nga bordi i drejtorëve”, ka thënë Matthias Mueller, drejtori ekzekutiv i Porsches, në konferencën vjetore.
Porsche nuk ka dhënë detaje të hollësishme se për çfarë modeli bëhet fjalë. Gjatë muajve të fundit, janë shfaqur disa spekulime për super veturën me motor mesatar të montuar, i cili duhej të pozicionohej në mes të modelit 911 dhe 918 dhe të jetë konkurrent për modelet e Ferrarit dhe McLarenit.
Flitet se ky model i shtatë do të jetë më i ulët se modeli Panamera apo versioni Shooting Brake i modelit të njëjtë. Nga ana tjetër, flitet se do të jetë edhe model elektrik.
Ne vetëm mund të spekulojmë se çfarë do të jetë ky model i ri, por nëse shikojmë lëvizjet e fundit të grupit VW, mund të supozohet se fjala është për një model elektrik, transmeton Koha.net. Pas prezantimit të modelit R8 e-Tron dhe pas lajmit se Audi është duke përgatitur një Crossover elektrik, modeli elektrik nga Porsche i cili do të luftonte me Teslan, nuk tingëllon si një ide e keqe.
Porsche për momentin është njëra nga kompanitë më fitimprurëse në industrinë e veturave, edhe pse i ka rënë fitimi nga 18 në 15.8% në krahasim me vitin e kaluar, kryesisht për shkak të modelit Macan dhe shpenzimeve nga shtimi i tij në ofertë.
Fokusi i kompanisë Porsche mbetet në motorët dhe menaxhim, e cila në mënyrë të qartë tregon se kompania nuk ka ndërmend që të konkurrojë me të tjerët në teknologjinë brenda veturës dhe automatizimin e vozitjes.
Sipas Mueller, konsumatorët e Porsches “nuk duan smartfon mbi katër rrota, ose ekran më të madh të mundshëm në qendër të konzolës. Në Porsche nuk ka vend për dekorime”./koha.net/