Populli i Kosovës po ushqehet me lugë të zbrazur

E publikuar: 20/12/2015 22:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Profesori dhe diplomati Lisen Bashkurti, nëpërmjet një shkrimi të tij, ka kërkuar që klasa politike të mos ngutet të flasë për data për liberalizimin e MSA-në, por të ngutet që të realizojë objektivat. Gjithashtu, Bashkurti jep disa kritika dhe këshilla në lidhje me diplomacinë kosovare.

Mos garoni të deklaroni, por nxitoni të punoni Kosova po bënë tetë vjet pavarësi. Në këtë periudhë të shkurtër populli i Kosovës është duke përjetuar një periudhë post-traumatike plot sfida.

Sfidat e shtet-formimit, funksionalizimi i shtetit të së drejtës, sundimi i ligjit, respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe të pakicave, ekonomia e tregut të lirë, problematikat sociale, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, zgjerimi i njohjes drejt anëtarësimit në OKB dhe integrimi euro-atlantik, përbëjnë një tërësi objektivash madhore që formojnë strategjinë afatgjate të Republikës se Kosovës, popullit dhe drejtuesve të saj. Këto objektiva zgjidhen hap pas hapi.

Aktualisht objektiva prioritare janë lobimi fuqishëm në BE dhe në shtetet anëtare të tij për ratifikimin e MSA-së në parlamentet nacionale dhe vijimi i punës rigoroze brenda Kosovës dhe strukturës së Shengenit për realizimin e standardeve të brendshme dhe sigurimin e mbështetjes Evropiane për liberalizimin e vizave.

Pra këto objektiva varen shumë nga Kosova, por edhe nga BE-ja dhe shtetet anëtarë të tij. Kohët e fundit nga politika, institucionet e analistët e ndryshëm në Kosovë ka një gare deklaratash për të ushqyer popullin e Kosovës me lugë të zbrazur. Flitet për MSA-në sikur hyn në fuqi brenda javës, garohet për vizat sikur po liberalizohen nesër në mëngjes. Politika dhe diplomacia publike në Kosove po gabojnë.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për vërtetësi dhe jo për demagogji. Nëse në punë, politika dhe institucionet e Kosovës kanë bërë gabime, me garën e tyre deklarative po bëjnë faje. Populli kosovar nuk është pa memorie që të harroje çfarë i premtohet dhe të mos shohë se çfarë realizohet. Populli kosovar pret nga politika dhe institucionet e veta që të mos garojnë të deklarojnë, por të nxitohen që të punojnë.