POPULLI: “Dorën që nuk mund ta thyesh, puthe”

E publikuar: 23/02/2016 20:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jakup Krasniqi

Duke u rritur në një ambient familjar, ku është përdorur shumë filozofia popullore, me ka mbetur një kulturë e dashuri e madhe për filozofinë e popullit. Një dashuri më të veçantë e kam pasur për fjalët popullore, që tregojnë për urtinë, trimërinë, atdhedashurinë, drejtësinë, barazinë, punën, ndershmërinë dhe dashurinë deri në sakrificë për njeriun e dinjitetshëm, lirinë e atdheun etj.

Gjithashtu ka pasur edhe diçka që nuk me ka pas pëlqyer hiq, sa që kam pas menduar se ajo urti popullore, nuk është e popullit, por ndonjë bastard e ka shitur si urti popullore dhe ajo ka mbetur si e tillë. P.Sh., fjalën e urtë popullore: “Një dorë që nuk mund ta thyesh, puthe!” Ketë kurrë nuk e kam marrë si urti popullore, nuk i kam besuar se është urti popullore, prandaj kam ecur guximshëm rrugës sime, për ta thyer e mundur edhe atë që shumë kush me ka pas sugjeruar që mos ta provoja. Se veç përpjekja për ta mundur të fortin ishte e kotë!

Nuk them që nuk ka pasur raste që me është thyer dora dhe jo vetëm një herë, por as edhe një herë, nuk jam kthyer që ta puthë dorën e fortë, përkundrazi!

Pse?

Gjithnjë i edukuar me filozofinë popullore, i edukuar në një ambient familjar, ku trimërisë i është kushtuar një vëmendje e veçantë. Më vonë, gjatë shkollimit i edukuar me urtinë e rilindësve tanë, me dashurinë e tyre për komb e atdhe, por edhe te literaturës revolucionare për drejtësi e barazi në mes njerëzve e kombeve, me kanë bindur se nuk duhet pushuar përpjekjet për ta mundur edhe më të fortin – armikun. Ketë shembull, të pathyeshmërisë në përballje me të fortët na e jepte edhe Adem Demaçi me dekadat e tij të burgut. Më vonë ishte edhe shembulli i Adem Legjendarit dhe i Jasharëve të Prekazit!

Nga ajo përpjekje, jo pak herë kam dalë i mundur, por kurrë nuk kam mundë ta pranoj as humbjen e as që të kthehem për “ta puthë dorën e fortë”! Kam urrejtje të madhe kundër puthadorëve! Ata veç nënshtrimit e frikës nuk afrojnë gjë tjetër në jetë!

Kështu kam pas menduar, si për vete, mbase më shumë për disa shokë të ilegales (organizatave të fshehta), por edhe më vonë të shumë bashkudhëtarëve!? Te të cilët kisha shumë besim!

Tani që po e shoh sesi u degdisen shumë burra të botës, më nuk po mund të them se fjala e urtë popullore: “ Dorën që nuk mund ta thyesh, puthe”! Nuk mund të them se është fjalë e ndonjë bastardi që ia ka imponuar mendimin e tij, popullit të urtë e të guximshëm!

Shumë njerëz, më të cilët isha edukuar në organizimin e fshehtë për çlirim e bashkim kombëtar, jo vetëm që mbeten rrugës (se të e fundit edhe kjo është njerëzore), por në shumë momente, ata me fjalë ishin shumë më “kryengritës” se unë, e urrenin dorën e fortë edhe më shumë se unë, ishim marrë vesh që të ecnim edhe kundër rrjedhës se lumit të turbullt, por më vonë u kthyen dhe e puthën dorën e fortë dhe jo vetëm e puthën, por ranë edhe në gjunjë për ta puthur!? Ndonëse ndonjëri edhe i ka dhënë arsyetimet e veta?!

A thua pse ndodhi kështu?!

Përgjigjen le ta gjënë secili sipas mendimit të vetë! Unë nuk dua të imponoj asgjë në ketë mes!