Polonia e ka marrë edhe zyrtarisht kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm. Paraprakisht, kryesimin e ka pasur Hungaria.
Për këtë ka njoftuar Këshilli Evropian, përmes një postimi në faqen zyrtare në platformën “X”, ku është publikuar një foto e banerit të vendosur në objekt ku shkruhet “Presidenca polake e Këshillit të Bashkimit Evropian”.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, në mesazhin e tij, ka deklaruar se siguria do të jetë prioriteti kryesor i tyre.
“Ne do të zbatojmë një politikë sigurie të përbashkët, të planifikuar me kujdes, duke i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme. Kjo mund të arrihet vetëm së bashku. Qëllimet tona themelore janë të lidhura me sigurinë e qytetarëve tanë, kombeve dhe Bashkimit Evropian në tërësi. Ky është lloji i sigurisë që fillon në shtëpi për çdo evropian dhe shtrihet deri në kufijtë e jashtëm të BE-së. Ne duhet të punojmë për të forcuar kufijtë e Bashkimit dhe për të kundërshtuar instrumentalizimin e migracionit. Solidariteti është thelbësor. Ne e kuptojmë se siguria e përbashkët nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e aftësive mbrojtëse të Evropës, por edhe me sigurimin e konkurrencës, pavarësisë energjetike dhe sigurisë ushqimore”, ka deklaruar Tusk.
Ndryshe, Polonia ka vendosur që të mos e ftojë ambasadorin e Hungarisë në ngjarjen për nisjen e Presidencës polake të Bashkimit Evropian. Kjo pasi Budapesti i dha azil politik një ish-zëvendësministri i cili po hetohet për dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike, tha një zyrtare e lartë.
Tusk ka qenë një kritik i Orbanit për qëndrimin e tij lidhur me luftën në Ukrainë, por edhe për politikat që Polonia i konsideron proruse. Orban i ka thënë një media hungareze se Qeveria e Tuskut i konsideron hungarezët armiq.
Poland @POLAND25EU has officially taken over the Council presidency!
Curious to know more? Stay tuned 👉 https://t.co/frRwamMUpQ#Poland25eu pic.twitter.com/Rkb0LxQDd7
— EU Council (@EUCouncil) January 3, 2025