Kur kanë mbetur edhe 10 ditë deri tek kalimi i afatit të parë që duhet të votohet kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, e ndërsa ende nuk kemi marrëveshje ndërmjet LVV’së dhe LDK’së, politikologu Albinot Maloku, për Infosot thotë se partia e Isa Mustafës, marrëveshjen e mundshme, e ka konvertuar në pazare politike.
Sipas Malokut, kjo traditë për fat të keq nuk do të çrrënjoset për kohë të gjatë nga skena politik.
“Që nga 6 tetori e këndej, qëkur filluan bisedimet ndërmjet LV-së dhe LDK-së, nuk pati asnjë rezultat konkret, asnjë marrëveshje reale. Sot, kur na ndajnë më pak se dhjetë ditë deri te momenti i prezantimit të kabinetit të ri qeverisës, kuptojmë që LDK-ja marrëveshjen e mundshme, e ka konvertuar në pazar politik. Për fat të keq kjo traditë, mesa duket, nuk do të çrrënjoset për gjatë kohë nga skena jonë politike” ka thënë ai.
Ai, i bëri thirrje kyretarit të LVV’së që t’i dal në mbanë bisedimeve dhe deri në afatin e fundit me 4 shkurt, ta prezantoj kabinetin e tij qeverisës.
“E tëra çfarë dimë është se: me datën 4 shkurt, i skadon afati të mandatarit për formimin e qeverisë. Pra Albin Kurti, medoemos duhet t’ia dalë mbanë që këtë periudhë ta shfrytëzojë më së miri, në mënyrë që në afatin e paraparë, përpara deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ta prezantojë kabinetin e tij qeveritar”, ka thënë Maloku për Infosot.
Nëse arrihet koalicioni LVV-LDK, sipas Malokut zgjatja e procesit të bisedimeve nga prizmi i qytetarit nuk do të shihet si koalicion i shpresës.
“Tejzgjatja e procesit të bisedimeve rreth formimit të koalicionit qeverisës, entuziazmin fillestar të qytetarëve e ka zbehur në maksimum. Edhe nëse do të ketë marrëveshje, siç jemi mësuar të shohim, pak para afatit mes këtyre dy partnerëve, ky koalicion nuk prezanton ndryshim të sistemit të vlerave, për çka ka nevojë fuqimisht demokracia jonë. Gjithsesi, humbësi më i madh në gjithë këtë dramë pas-zgjedhore, është Vjosa Osmani, e cila ka mundur të shndërrohet në një faktor të respektuar në skenën e re politike. Ajo ishte impotente. Ky koalicion i mundshëm mes LV-së e LDK-së as nuk mund të konsiderohet i shpresës, as i presionit ndërkombëtar, e as i parimeve. Është i interesit, ndonëse dukej si i alternativës nga prizmi i qytetarit i cili e votoi Vjosën e Albinin”, ka shtuar Maloku.
















