Politikani serb: Do ta padisë Serbinë për krimet në Kosovë

E publikuar: 22/05/2024 20:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka thënë se do ta padisë Serbinë për krimet e kryera në Kosovë.

Bogdanoviq ka bërë të ditur se ka filluar procedurat edhe për ndryshimin e pamjes, pasi siç thotë ai, treshja Vuçiq-Vulin-Radojçiq dhanë urdhër për vrasjen e tij

“Ju jeni media e vetme që keni transmetuar që kam qenë i detyruar të largohem nga Serbia. Më është dashur të ndryshoj pamjen time, që është një ndër veprimet mbrojtëse që duhet të respektoj, dhe sigurisht jam në një vend evropian, ku edhe jetoj por nuk mund të zbuloj se ku gjendem. Më gëzon fakti që vetëm pas ikjes sime nga Serbia, nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të sigurisë kam mësuar sa në rrezik ishte jeta ime dhe kanë qenë në pyetje ditët, kur Radojçiç dhe grupi i kriminelëve të cilët kanë marr detyrën për të më vrarë, e kjo detyrë i ishte ngarkuar Radojçiçit. Vendimin për vrasjen time e kishte marrë treshja Vuçiç-Vulin-Radojçiç, për shkak të qëndrimeve të mia politike”, shprehet ai.

Bogdanoviq, së fundmi paralajmëroi se ka filluar ta përgatis një padi kundër shtetit serb, për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Gjenocid, krim kundër paqes, krim kundër njerëzimit është bërë në Kosovë. Prandaj erdhi deri te intervenimi i NATO-s. 900 mijë shqiptarë ishin dëbuar. Më shumë se 15 mijë shqiptarë, gra, fëmijë të vogël, janë vrarë. Më shumë se 3000 gra dhe vajza të mitura janë dhunuar. Thjesht, këto fakte historike nuk guxojnë të harrohen. E përgjegjësia individuale për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë në vitin 1999 duhet të marrë një epilog”, ka thënë ai për Tëvë 1.

Politikani serb shton se njëri nga përgjegjësit më të mëdhenj të krimeve të luftës në Kosovë, është presidenti aktual i Serbisë.

“Atëherë ishte ministër i informimit në qeverinë e Republikës së Serbisë, dhe njëri nga përgjegjësit më të mëdhenj për krimet e bëra. T’ju rikujtoj që në natën kur kishte filluar intervenimi i aleancës së NATO-s. kishte thënë njërën nga fjalitë më monstruoze në histori, e kjo është që “shqiptari që mbijeton do të jetë i lirë, e shqiptari që vdes, tash është i lirë,” Kjo flet për nivelin e urrejtjes së tij ndaj popullit shqiptar që mund të barazohet me anti-semitizëm, që është urrejtja ndaj popullit çifut”, shprehet politikani serb.

Njeriu që i kundërshton politikat e qeverisë serbe shton se është afër ta siguroj azilin politik. Ndërsa për qëndrimet e tij, thotë nuk u kontaktua asnjëherë nga partitë politike në Kosovë.