Ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës, ai i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Lubomir Mariq dhe ai për Kthim e Komunitete, Dalibor Jeftiq, si dhe prefekti i Komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq, janë pajtuar sot që Asociacioni i komunave serbe (AKS) duhet të formohet ashtu që “të mbrojë në mënyrën më të mirë popullin serb në Kosovë”.
“Kjo duhet të bëhet pa kompromis kur bëhet fjalë për kompetencat e tij. Kjo është detyrë e të gjithë përfaqësuesve të bashkësisë serbe, në të gjitha nivelet politike”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Mariqit, që e transmeton Tanjug, pas bisedimeve zhvilluar sot në Shtërpce.
Ata, përcjell koha.net, po ashtu janë pajtuar dhe kanë theksuar se lidhur me këtë ekziston konsensus i plotë dhe se pozicioni është i njëjtë në të gjitha bisedimet dhe në të gjitha nivelet kur bëhet fjalë për popullin serb në Kosovë.
Gjatë takimit është folur edhe për Brezovicën, përkatësisht për, siç thuhet në kumtesë, “rreziqet dhe pritjet lidhur me të ardhmen e kësaj bjeshke për qytetarët kësaj ane të cilët kanë shumë nevojë për përkrahjen e bashkësisë lokale”!
Kjo, sipas tyre, ka të bëjë me shumë parakushte që “nuk janë përmbushur edhe për qendrën skijimit”.