Presidentja e shtetit është parë të premten në komandën e KFOR’it. Është muaj gusht dhe nuk dihet se kur dhe ku do të shkoj në pushime të verës. Këshilltari i saj, Arbër Vllahiu, nuk ka përgjigje për këtë gjë, pasi ai vet është duke pushuar.
Edhe kryeministri është këndej pari. Bile, ai nuk e ka ndërmend të shkoj në pushim fare. Të paktën kështu thotë asistentja e tij, Dea Krasniqi.
“Kryeministri nuk e ka në plan ende pushimin. Për shkak të disa angazhimeve ai nuk e ka planifikuar as për kohën se kur do të shkojë në pushim”, ka thënë ajo.
Në pushim të rregullt janë zyrtarisht vetëm deputetët e Kosovës. Nga 3 gushti, kur Kuvendi i ka miratuar ligjet që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, e deri në mesin e shtatorit, ata janë zyrtarisht në pushim.
Kryekuvendari Kadri Veseli do të pushoj në Shqipëri.
“Kryeparlamentari ka përzgjedhur si zakonisht Shqipërinë për t’i kaluar pushimet edhe pse ai për shkak të disa angazhimeve nuk ka vendosur ende për datën se kur do të shkoj. Por besoj se nga dita e hënë do e shfrytëzoj pushimin e tij”, ka thënë Këshilltari i kryetarit të Kuvendit, Driton Lajqi.
Lideri i AAK’së i ka përfunduar pushimet për këtë vit.
“Zoti Haradinaj, ka qenë në një pushim të shkurtër 4-5 ditor në Dhërmi dhe nuk ka plane të tjera për pushime. AAK është duke punuar në reformimin e partisë pas përfundimit të procesit zgjedhor në parti, prandaj pushimet janë lënë në plan të dytë”, thotë për Ramush Haradinajn, Muharrem Nitaj, zyrtar për informim në AAK. /Tribuna Channel/