Polipi i mitrës është një lloj tumori që mund të lokalizohet në qafën apo në kavitetin e mitrës, respektivisht në vet brendinë e saj.
Përderisa polipi i qafës së mitrës nuk paraqet aq problem për pacienten te i cili lajmërohet, ai endometrial mund të paraqet më shumë pengesa për shëndetin e gruas, si gjakderdhje të shtuar menstruale apo probleme të infertilitetit.
Polipet e mitrës mund të kenë madhësi nga disa milimetra deri në disa centimetra, e poashtu edhe numri i tyre mund të jetë i ndryshëm, duke filluar nga një e më shumë polipe.
Shkaktari i vërtetë i tyre akoma nuk dihet, por besohet se shkaktohen nga aktiviteti i tepërt i hormoneve femërore, si për shembull i estrogjenit.
Por, faktorë ndihmës në paraqitjen e tyre janë edhe shtypja e lartë e gjakut, mbipesha si dhe periudha para dhe pas menopauzës.
Simptomet më të shpeshta të polipit të mitrës janë: gjakderdhjet e parregullta midis dy cikleve, pastaj gjakderdhjet abnormale gjatë menstruacioneve, gjakderdhjet nga vagina në menopuzë dhe problemet me fertilitet, respektivisht pamundësia për të ngelur shtatzanë.
Polipet pengojnë në shtatzani ashtu që e pamundësojnë embrionin që të implantohet apo të ngjitet në kavitetin e mitrës.
Si dhe, prezenca e tyre në kavitetin e mitrës mund të shkakton aborte spontane. Por, nganjëherë polipet e mitrës nuk përcillen me kurrfarë simptomesh, kështu që ato shpesh diagnostifikohen krejt rastësisht gjatë kontrolleve të rregullta ultrasonografike të grave.
Shumë rrallë polipet mund të kalojnë në tumore malinje apo në kancer.
Por, një gjë e tillë mund të ndodhë kur këto lloj tumoresh shkaktojnë gjakderdhje midis dy cikleve menstruale, kur përcillen me gjakderdhje masive menstruale apo kur paraqiten në menopauzë.
Përndryshe, nëse nuk janë shkaktarë të këtyre ndryshimeve në shëndetin e gruas, atëherë nuk kanë nevojë të largohen me operacion, përveҫ nëse janë shkaktarë të infertilitetit apo të shterpësisë.
Në këto raste preferohet largimi i tyre me histeroskopi, respektivisht me një lloj operimi të lehtë që kryhet përmes futjes së një kamere të posaҫme në mitër dhe largohet polipi në tërësi.
Në të kundërtën, nëse polipi nuk bën pengesa në shëndetin e gruas, atëherë preferohet vetëm përcjellja e tij me kontrolla më të shpeshta në ultrazë, ashtu që të përcillet rritja eventuale apo transformimi i tij në gjendje prekanceroze apo eventualisht në tumor malinj, respektivisht në kancer.
Dr Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Specialiste për infertilitet dhe IVF